“Këtu nuk është, i larguar, në tokë i tretur si të tjerë”. Këto pak vargje të Dritëro Agollit i shkojnë për shtat edhe një legjende të harruar prej 35 vitesh, futbollistit-ushtark britanik, Rajmond Uestvud. Gazeta spanjolle “Marka” pati kujtesën dhe fitoi mirënjohjen duke e kujtuar ish-sulmuesin e Bolton Uonderersit, që më pas veshi uniformën e ushtrisë në Luftën e Dytë Botërore. Uestvud, lindur në 1912, ka vdekur në 1982 disa muaj përpara sesa kombëtarja angleze të luante Kupën e Botës në Spanjë, por mbahet mend jo vetëm për 6 ndeshjet me Anglinë, por edhe për karrierën tek Boltoni nga 1928 deri në 1947, dhe për 127 golat e shënuar në kampionat dhe 143 golat gjithsej, duke qenë shënuesi i pestë më i mirë në historinë e klubit.
Në kohën kur shpërtheu lufta, në 1939, Rej doli vullnetar për të shkuar në ushtri dhe zbarkoi në Francë për të luftuar ndaj gjermanëve. Ai ishte një ndër 200 000 ushtarët britanikë të shpëtuar nga Flota Mbretërore në Dynkerkun e rrethuar nga ushtria gjermane, ndërsa luftoi më pas në Afrikë dhe Itali, ku edhe u plagos. Jetoi deri në moshën 70-vjeçare, ndërsa provoi një dhimbje të thellë në 1958 kur nipi i tij, Dankën Eduards, lojtar i Anglisë dhe Mançester Junajtidit, humbi jetën në tragjedinë ajrore të Mynihut.
Sfidanti.al