Publiku po kthehet dhe shpejt do të jenë mbi 90 000. Në “Spotifaj Kamp Nou” ishin plot 84 000 spektatorë për një tjetër spektakël të Barcelonës. Pavarësisht barazimit 0-0 në javën e parë pikërisht në shtëpi ndaj Rajo Vajekanos, sërish “blaugranët” e Ksavit po tregojnë se po ndërtojnë një të tashme dhe të ardhme të madhe. Ndaj Sociedadit u fitua 4-1 në “Anoeta”, ndërsa Vajadolidi këtë herë nuk pati asnjë shans, u mund 0-4. Levandovski shënoi dy gola, Pedri dhe Sergi Roberto realizuan të tjerët, Dembele shërbeu dy asiste, ndërsa të tillë si Arauho, Gavi, Buskets apo Rafinja ishin të shkëlqyer.
Barcelona kuptohet që është tepër e fortë, jo vetëm për formacionin që hedh në fushë, por edhe për faktin se nga stoli hynë yje të tjerë si Kesie, De Jong, Ferran Torres, Sergi Roberto e sidomos Ansu Fati. Kunde debutoi dhe bindi, por trajneri Ksavi deklaroi se “nuk jam plotësisht i kënaqur, pasi ndeshja nuk ishte e përsosur, kemi shumë gjëra për të përmirësuar”. Imagjinoni sesi duhet të jetë Barça kur t’i afrohet përsosmërisë që kërkon Ksavi.
Barcelona (4-3-3): Ter Shtegen, Kunde, Arauho (Sergi Roberto 61’), Erik Garsia, Balde, Buskets (Kesie 76’), Pedri, Gavi (De Jong 61’), Dembele (Ferran Torres 80’), Rafinja (Ansu Fati 61’), Levandovski.
Sfidanti.al