Barcelona është e frikshme, por Reali cilësohet një “lider zotëri”!

Një ekip me fisnikëri siç i ka hije edhe trajnerit Karlo Ançeloti. Madridi mbetet Madrid dhe jo më kot është në krye të La Ligës spanjolle me 5 fitore në 5 ndeshje. Nuk ishte edhe aq e lehtë ndaj Majorkës, që shënoi e para me Vedat Muriqin, ndërsa u ndje mungesa e Karim Benzemasë, por gjithsesi “djemtë” e Ançelotit janë bërë “burra”. Të tillë janë tani Fede Valverde, Vinisius, Rodrigo, ndërsa ekipit i është shtuar edhe “i frikshmi” Antonio Rydiger. Fitorja 4-1 ishte me të vërtetë mbresëlënëse, edhe pse ndeshja ishte në 1-1 deri në 72’. Sidoqoftë, epërsia e kampionëve ishte e plotë me mbi 70 për qind mbajtje topi dhe me 15-3 gjuajtjet drejt portës. Barcelona është vërtet e frikshme me Levandovskin, Pedrin, Gavin, Arauhon, Dembelenë e të tjerët, dhe është vetëm 2 pikë prapa, bilanc shumë i mirë për një skuadër të rindërtuar mes shumë tronditjeve në verë. Gjithsesi, këtij Reali për momentin i rrinë shumë mirë “petkat” e kampionit.

Sfidanti.al