Mund të themi se mbrojtësit “spanjoll” i ka ecur shumë më keq sesa sulmuesit “anglez”. Ata që e kanë ndjekur ndeshjen Spanjë-Shqipëri mbrëmjen e djeshme, por që nuk e kanë ndjekur kombëtaren tonë këto kohë, do të habiteshin me Ivan Balliun dhe do ta quanin si një “e ardhme e sigurt”. Veçse, do të zhgënjeheshin kur të mësonin se futbollisti është sot 30 vjeç! Çfarë e ardhmeje mund të quhet Balliu në këtë moshë? Habia tjetër e madhe do të ishte kur të shikonin statistikat dhe të mësonin se djaloshi që është titullar i patundur në La Ligën e Spanjës, ka vetëm 4 ndeshje me kombëtaren!!!
Vetëm 4, në moshën 30-vjeçare për një lojtar që shkëlqen në Spanjë, që ka luajtur në Francë dhe që ka dalë nga klubi i Barcelonës! Dhe nga këto 4 ndeshje, atij i kanë dhënë mundësi të tregojë veten vetëm 191 minuta! Se përse e kanë lënë kaq pas dore, askush nuk dëshiron ta sqarojë, por çdo shqiptar normal e kupton se përse ndodhin këto gjëra! Përsa i përket Brojës, ai është vetëm 20 vjeç, dhe pavarësisht nëse e duan apo jo, fati ka qenë më bujar me të, ashtu si edhe talenti. Çdo trajner është i detyruar ta aktivizojë edhe në kombëtare, por kush i harron peripecitë që pati djaloshi i lindur në Angli, që mori leje për të luajtur me kombëtaren në Londër edhe nga Çelsi, por nuk mori leje nga trajneri ynë. Si për koincidencë, të dy “ushtarët e fatit” u zëvendësuan ndaj Spanjës në të njëjtën minutë, në të 84-ën.
Sfidanti.al