Bajerni i lumtur me Manenë dhe Musialën, nuk do të ketë “sozi” për Levandovskin

Bavarezët lanë pas çdo kritikë e çdo problem, lanë pas edhe temën aq të zhurmshme dhe kritike të largimit të sulmuesit polak, dhe finalja e Superkupës së Gjermanisë tregoi se mbeten më të fortët. Bajerni fitoi 5-3 ndaj Lajpcigut duke u ndodhur 3-0 në pushim, e duke e merituar, ndonëse patën shqetësime në fund. “Jemi të lumtur për fitoren, – tha tekniku Nagelsman, – nuk ka qenë periudhë e lehtë për ne, por treguam se jemi sërish ekip shumë i fortë me lojtarë mjaft të mirë. Mane pati paraqitje shumë të mirë, një lojtar cilësor dhe i thjeshtë, i shkëlqyer. Musiala po ashtu ishte i jashtëzakonshëm, shumë i zgjuar, dhe është përmirësuar në mbrojtje. Më pëlqeu shumë Leroi Sane”.

Revista “Kiker” citon shefin ekzekutiv, Oliver Kahn, që vlerësoi ekipin në sulm, por shtoi se “për nervat e mia do të kishte qenë mirë të mos kishim pësuar kaq shumë gola”! Kahn thekson se tek bavarezët nuk ka diskutim për të marrë një sulmues të ri pas largimit të Robert Levandovskit. Revista tjetër gjermane, “Sport Bild”, e cilësoi finalen si “shfaqjen e parë të Manesë”, duke shtuar se Bajerni e mbajti Superkupën e fituar vjet. Bavarezët, kampionë të Gjermanisë në fuqi, kanë tani më shumë besim për Bundesligën, por edhe për objektivin kryesor, Ligën e Kampionëve.

Sfidanti.al