Bajern-Real dhe Juventus-Barcelona, si janë shanset në Champions?!

Nuk mund të kishte short më të vështirë sesa ai që u hodh në Nion të Zvicrës. Çerekfinalet e Ligës së Kampionëve janë porsi gjysmëfinale, apo edhe dy finale siç janë çiftet Bajern Mynih-Real Madrid dhe Juventus-Barcelona. Dy përballjet e tjera, gjithashtu të forta, janë Atletiko-Leister dhe Dortmund-Monako.

Duelet që do të luhen në 11-12 prill dhe 18-19 prill pritet të jenë një tjetër kulm i spektaklit të futbollit që sot për sot mund ta ofrojë vetëm Championsit. Dhjetë herë kanë pasur duel së bashku gjermanët dhe spanjollët dhe kualifikimet janë nga 5 për secilën skuadër. Bajerni ka 11 fitore, 2 barazime e 9 humbje me golaverazhin 33-31.

E madhe edhe sfida Juve-Barça. Katalanasit kanë 3 kualifikime, ndërsa italianët kanë dy. Për herë të parë janë përballur në 1970 në Kupën e Qyteteve Panaire (më pas Kupa UEFA) ku ka triumfuar Juventusi, ndërsa me radhë kanë qenë në Champions, Kupën e Kupave, Kupën UEFA dhe pastaj vetëm në Champions. Të dyja skuadrat kanë nga 4 fitore dhe 2 barazime, me golat 16-13 për katalanasit.

Është e vështirë të bëhet një parashikim se cila prej skuadrave është favorite ndaj tjetrës. Reali është në krye të renditjes së UEFA-s për klubet në Europë, dhe Bajerni është i dyti, ndërsa formën më të mirë për momentin ndoshta e kanë bavarezët.

Barcelona, ndërkaq, është një emër shumë i madh dhe ka dalë kampion i Europës në 2015 (finale ndaj Juves), por italianët duken në formën më të mirë të viteve të fundit, ndërsa katalanasit shpëtuan për pak nga eleminimi ndaj Paris SG.

Sfidanti.al