Iniesta me stil kampioni edhe kur flet për të ardhmen!

Andres Iniesta është një nga lojtarët më të dashur jo vetëm për tifozët e Barcelonës, por të të gjithë Spanjës. Pavarësisht se kapiteni i katalanasve është kundërshtar, madje i rrezikshëm, i gjithë skuadrave të tjera, ai pritet kudo me respekt, dhe fjalët që ka thënë në konferencën e fundit për shtyp, tregojnë edhe një herë klasin e tij edhe jashtë fushe.

Në moshë tashmë aspak të re, Iniesta nuk e pati problem kur u pyet për të ardhmen, pra nëse do të mund të rezistojë gjatë në nivele kaq të larta sa kërkon Barcelona. “Unë dhe Barcelona nuk do të kemi kurrë asnjë problem, – tha ai, duke na kujtuar sjelljen e Ksavit, – dëshira ime është që ta mbyll karrierën këtu, por gjithsesi, nuk do të qendroj këtu thjesht për të qenë këtu”.

Ekziston pra mundësia që numri 8 të largohet, e njëjta gjë që bëri Ksavi kur e pati të pamundur të ishte në lartësinë që duhej në ligën spanjolle dhe në Champions. Iniesta foli edhe për gjëra të tjera, duke përkrahur Unzuen si trajner të ri të Barcelonës, duke u shprehur me shpresë për çdo trofe, dhe duke thënë se nuk kishte preferenca për shortin e Ligës së Kampionëve.

Sfidanti.al