Mund të jesh skuadër më e mirë, mund të luash më shumë kolektiv dhe të jesh më lart në tabela, por sërish ta humbash ndeshjen. Kështu i ndodhi Realit të Madridit në Athinë, përballë Panathinaikosit, në ndeshjen e radhës në Euroligë. Ishin gati 17 000 tifozë grekë në Pallatin e Sportit “Paqja dhe Miqësia” dhe ata ndikuan shumë në entuziazmin e ekipit vendas, që këtë herë ishte shumë pak grek.
Nga 88 pikë të shënuara, plot 72 ishin të pesë lojtarëve amerikanë që përballuan klasin e Realit. Kris Singëllton shënoi 21 dhe kapi 9 topa në tabela, Rivers shtoi 13, Xhejms pati 14 po aq sa Feldein, ndërsa Xhejms Gist realizoi 11 pikë. Panathinaikos kapi më pak topa në tabela se madrilenët, dhe po ashtu dha më pak asistë, por u imponua më shumë në zonë duke fituar gjuajtje të lira në vazhdimësi, element që bëri diferencën. Po ashtu, Reali i trajnerit Pablo Laso i lejoi vetes të ishte i shpërqëndruar në sulm duke humbur 16 herë topin, ndaj vetëm 8 të vendasve.
Panathinaikos u mbrojt shumë fortë, duke bërë shumë pak gabime personale dhe duke vjedhur 12 topa ndaj Madridit, ndërsa Reali e bëri vetëm 4 herë. Rezultati final ishte 88-82 për grekët që mbeten në vendin e pestë në renditje, në pozicion të mirë për të qenë në çerekfinale, kur kanë mbetur edhe 4 ndeshje për t’u luajtur. Reali ka 19 fitore e 7 humbje, dhe mund të zbresë në vend të dytë nëse CSKA fiton në Spanjë ndaj Vitorias.
Crvena Zvezda e Beogradit mbeti edhe ajo në garë për në çerekfinale, pasi triumfoi në fushën e Milanos. Serbët kanë 15 fitore e 11 humbje, po aq sa Panathinaikos. Suksesi në Itali ishte 78-71, me 15 pikë të Ognjen Kuzmiçit, 13 të Marko Simonoviçit, 12 të Marko Guduriçit dhe 11 të amerikanit Çarls Xhenkins.
Fitore edhe për dy skuadrat turke, Fenerbahçe dhe Anadolu Efes. Feneri triumfoi në Gjermani ndaj Broze Basketit 83-78, ndërsa Anadolu përballoi një Makabi të fortë në Stamboll, duke fituar me shifrat 92-87. Fenerbahçe është në vendin e katërt në renditje me 17 fitore e 9 humbje.
Sfidanti.al