Tifozët zikaltër në rrjetet sociale po diskutojnë dhe po shprehen pa fund. Kristjan Asllani më në fund duket se do të jetë për herë të parë titullar për Interin në ndeshjen e sotme të orës 18:00 ndaj Romës në “San Siro”, dhe thirrjet janë që mesfushori 20-vjeçar të mbështetet, të mos vërshëllehet apo kritikohet për gabimin më të vogël. Ylli kuqezi do të jetë në një provë të fortë, ndërsa Brozoviç është i dëmtuar, e trajneri Inzagi kishte menduar edhe të aktivizonte Mkitarianin në vend të tij, gjë që edhe mund ta bëjë. Nga ana tjetër, mbrojtësi i qendrës kuqezi, Marash Kumbulla, pritet në stol për Romën, i rikthyer nga dëmtimi që nuk e lejoi të ishte në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve për kombëtaren. Kjo është “ndeshja” Inter-Roma me më shumë interes për tifozët shqiptarë, ndërsa formacionet e mundshme të ekipeve janë si më poshtë:
Interi (3-5-2): Handanoviç, Shkriniar, De Vraj, Bastoni, Damfris, Barela, Asllani, Çalhanoglu, Dimarko, Xheko, Lautaro Martinez.
Roma (3-4-2-1): Rui Patrisio, Mançini, smolling, Ibanjez, Zalevski, Kristante, Pelegrini, Spinacola, Dibala, Zaniolo, Abraham.
Sfidanti.al