Asllani merr vlerësime të mëdha, por trajneri Andreacoli: i ka ende buzët me qumësht!

Pavarësisht rezultatit, e bëri atë që kërkoi nga vetja. Kristjan Asllani shkëlqeu në “San Siri” në përballjen me Interin kampion në Serinë A, duke shënuar gol, duke luajtur shumë mirë e duke marrë vlerësime të larta. Mesfushori i kombëtares shqiptare, edhe pse në moshën 20-vjeçare, nuk e pati problem të realizonte në një tempull futbolli për Empolin, si dhe të mbulonte siç duhet një yll si Brozoviç. Gjithsesi, prova e madhe e shqiptarit nuk mjaftoi sepse Interi fitoi 4-2 me një Lautaro Martinez në formë të madhe. “Eurosporti” vlerëson se më të mirët për Empolin ishin Zurkovski, Pinamonti dhe Asllani.

Asllani mori notën 7, ndërsa Nedim Bajrami dhe Ardian Ismajli morën notën e pamjaftueshme 5.5. “Skaj Sporti” i dha mesfushorit kuqezi notën 6.5, ndër më të mirët e Empolit me Pinamontin dhe Zurkovskin. Për “Kalçomerkaton”, Asllani shkëlqeu nën sytë e drejtuesve të Interit që e pëlqejnë për sezonin e ardhshëm. Ai mori notën 6.5.

Trajnerit të Empolit, Andreacoli, iu kërkua një mendim për Asllanin. “Është ende i ri, – tha ai, – në mënyrë figurative mund të them se i ka ende buzët me qumësht. Mendoj se i bëjmë mirë që ta lemë të qetë që të rritet dhe të fitojë përvojë në këto nivele. Asllani nuk ka nevojë për shumë këshilla, për shumë nxitje, pasi është gjithmonë vetvetja, ai vetë është një shembull lidhur me përqëndrimin dhe seriozitetin që duhet të ketë një lojtar. i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë një emër i rëndësishëm. Edhe sot luajti në një rol që nuk është i veti, dhe e bëri shumë mirë, duke shënuar një gol klasi”.

Sfidanti.al