Liga e Europës pati ndeshjet e para të të tetave të finaleve dhe suprizat nuk munguan. Arsenali ka një “mal” për të ngjitur pas humbjes 1-3 të pësuar në Francë nga Rena (në foto). Edhe pse kaloi në epërsi që në minutën e 4-ët me anë të Iobit, londinezët nuk u mbajtën dot deri në fund, siomos pasi Sokratis Papastatopulos doli me karton të kuq në 41’. Një minutë më vonë, Rena barazoi me Burigodin, ndërsa në pjesën e dytë erdhën autogoli i Monrealit dhe rrjeta e Sarrit.
“Notë negative” edhe për Seviljen që u mbajt në barazim 2-2 në shtëpi nga Sllavia e Pragës. Ekipi kryesues i Ligës së Çekisë iu përgjigj dy herë specialistëve spanjollë të Ligës së Europës. Kral dhe Çufal barazuan golat e shënuar nga Ben Jeder dhe Munir El Hadadi.
Sukses për pretendentë të tjerë si Çelsi, Napoli apo Vijarreali. Blutë e Londrës e kaluan me sukses 3-0 ndeshjen që e prisnin me druajtje ndaj Dinamos së Kievit. Ukrainasit, sidoqoftë, nuk janë ata të viteve 70-të, 80-të apo 90-të, dhe u mposhtën nga golat e Pedros, Uillianit dhe të riut Hadson-Odoi. Po 3-0 edhe fitorja e Napolit ndaj Salcburgut, në një tjetër ndeshje që pritej me frikë. Milik, Ruiz dhe Onguene (autogol) mbaruan punën për napolitanët.
Fitore për dy skuadra të tjera spanjolle dhe pse të ndryshme. Vijarreali arriti një sukses të madh në fushën e Zenitit të Shën Peterburgut, 3-1, ku Iborra, Moreno dhe Morales shënuan golat. Valencia e pati më të vështirë dhe mundi vetëm 2-1 në Spanjë skuadrën ruse të Krasnodarit. Golave të Morenos iu përgjigj Viktor Kleson në pjesën e dytë.
Rezultatet: Dinamo Zagreb-Benfika 1-0, Frankfurt-Inter 0-0, Renë-Arsenal 3-1, Sevilja-Sllavia Pragë 2-2, Zenit-Vijarreal 1-3, Çelsi-Dinamo Kiev 3-0, Napoli-Salcburg 3-0, Valencia-Krasnodar 2-1.
Sfidanti.al