Për Mauro Ikardin as nuk bëhet fjalë, por Luçiano Spaleti kishte kërkuar karakter dhe personalitet nga ata që do të merrnin përsipër ndeshjen në Gjermani për Ligën e Europës. Frika ishte për një “ferr” të vërtetë në stadiumin e Frankfurtit, dhe “ferri” doli i vërtetë, veçse edhe Interi u shfaq i fortë si “djall”.
Barazoi 0-0, rezultat jo i keq ndaj një Ajntrahti që mund të shënojë në çdo moment me sulmuesit Joviç-Haler apo edhe Kostiç, reparti më i mirë ofensiv në Ligën e Europës. Kroati Rebiç mungoi këtë herë për vendasit. Interi luajti më mirë në pjesën e parë, madje dukej të kishte kaluar në epërsi kur Brozoviç pati shansin për të gjuajtur një 11-metërsh, por e humbi. Habia ishte e madhe pasi dy penalltitë e tjera pa Ikardin, i kishin gjuajtur Lautaro e Perishiç.
Pas pushimit, Ajntrahti pati epërsi dhe thuajse e rrethoi Interin në gjysmëfushën e këtij të fundit. E vetmja gjë që i mungoi vendasve ishte saktësia para portës. Për fat të keq, nuk munguan “dhimbjet e kokës” për Spaletin, pasi përveç Raxha Naingolanit mbeti i dëmtuar edhe Ivan Perishiç.
Sfidanti.al