“Apton Parku”, një tjetër copë e lavdishme historie do të zhduket!

Keqardhje, dëshpërim, mallëngjim. Këto janë ndjenjat e tifozëve të Uest Hemit, ndërsa stadiumi i tyre i dashur, “Apton Park” po zhduket. Shtëpia 112-vjeçare, një nga legjendat e futbollit legjendar anglez, nuk do të jetë më aty, që tifozët të bëjnë atë që kanë bërë brez pas brezi, të shkojnë në “faltoren” e tyre të shtrenjtë. Në vend të kësaj shtëpie të madhe, do të ketë qindra shtëpi të vogla, apartamente të ndërtesave të reja që do të ndërtohen mbi “varrin” e “Apton Parkut”.
Një fat të tillë pati edhe impianti tjetër legjendar londinez, “Hajbëri”, shtëpia e Arsenalit, ndërsa “topçinjtë” shkuan në “Emirejts”, një stadium i ri ultramodern, 62 000 vendësh, në një tjetër zonë të Londrës. Edhe Uest Hemi do të shkojë në stadiumin e ri, “Stratford”, 60 000 vendësh dhe tepër modern. Premier Liga rritet mbi “kufomat” e famës së saj, ashtu si “Uembli” i ri u rrit mbi të vjetrin, veçse në të njëjtin vend. Me më shumë fat, tifozët e Mançester Junajtidit apo Liverpulit, pasi “Old Trafordi” dhe “Anfildi” arritën t’u përshtaten kohëve të reja.

Sfidanti.al