Koicidencë fatale, nga ato që ngjasin shpesh në futbollin shqiptar, për sa kohë që për golat nuk mendojnë vetëm futbollistët në fushë, por edhe perënditë e këqija. Atë natë, fill pas emisionit “Procesi Sportiv”, dy presidentët, Gjici i Kukësit dhe Demi i Partizanit, i kanë bërë një telefonatë Starovës me një pyetje ngacmuese: “ Si t’u duk penalltia e Skënderbeut në Shkodër?”. Përgjigja ishte lakonike: “ Shenjë e keqe..”. Që do të thoshte se Zotat nuk e kishin braktisur Skënderbeun, aq më shumë misionarët që dërgojnë në fushë, kanë apo s’kanë stemë të FIFA-s. Më e bukura, dy presidentët harruan t’i bënin edhe një pyetje shtesë Starovës: “ Po për ndeshjen Partizani-Kukësi, cila është parandjenja e tij? “
Më shumë se një shenjë e keqe, nëse do t’i afroheshim ndopak gjuhës me të cilën kategorizoi penalltinë e Shkodrës, ajo që pritet të ngjasë me “demat”, do të jetë një strategji me helm. Në një kampionat ku “magjia e zezë” përpin gola të pastër dhe penallti flagrante, nuk është qameti kur mendon atë që u sajua mes Partizanit dhe Kukësit, sidomos golin e kulluar të Ekubanit. Jeta në fushë mund të jetë edhe më e tradhëtuar në javët në vazhdim. Partizani pretendon titullin kampion, ndërkohë ka zgjedhur një rrugë tjetër, krejt të panjohur në kampionatin tonë, duke rebeluar kundër regjimit që po i shtrëngon fytin topit. Në sulm kur flitet për UEFA-n, në krye kur flitet për fondet e Solidaritetit, përsëri në sulm kur të ringjallet këto ditë mundësia e ridënimit të Skënderbeut për blasfeminë e trukimeve. Në 4 mandatet, që presidenti Duka hedh vallen me prepotencë, me një shpërfillja kampione për kundërshtarët, madje duke bërë dashuri me politikën, vjen çasti më delikat për pronarin e lodrës, sa edhe drita po mungon në fund të tunelit. Gola edhe mund të anulohen, siç ka ndodhur rëndom këto vite, puna është se UEFA e re, kjo e Ceferinit ka zgjedhur të luajë mbi “dosjen S”, ose më qartë dosja shqiptare, për të cilën thuhej se kishim marrë garanci për hir të votës që u dhamë. Shqipëria e futbollit, ajo që u këshillua të vazhdonte festën për Europianit dhe të harronte sa më shpejt molepsjen e trukimeve, plagën që u injorua me frazën e paskrupullt zyrtare “ janë vetëm dyshime”, duhet të presë infarktin se UEFA vetëm nxemjen paska bërë me fatin tonë. Me heronjtë, që as nuk e kuptuan se vala dehesë e Francës, paska qënë fundi i një dasme, ku shqiptarët u lejuan të bënin ç‘të donin para se me ta te mereshin seriozisht. Sido që të jetë, prapë jemi me fat kur mendon se “Grali i Shenjtë”, sekreti si u gjëndëm në Francë, mbetet midis nesh si një vepër arti, që më shumë na bashkoi…
Gëzim Sinemati