Ançeloti kthehet tek Reali, ndoshta një hakmarrje e Perezit për Zidanin?!

Fitoi Championsin në 2014, por sezonin pasardhës nuk mundi të merrte asnjë trofe. Pasoja logjike për Karlo Ançelotin, sipas traditës tek Reali i Madridit, ishte shkarkimi dhe zëvendësimi nga Rafa Benitez. Periudha e turbullt në “Bernabeu” përfundoi me instalimin e Zinedin Zidanit që shkëlqeu duke fituar 3 Champions radhazi në 2016, 2017 e 2018. Gjithsesi, historia ndodh edhe që përsëritet dhe Karlo Ançeloti është sërish trajner i Realit.

Italiani u kërkua me urgjencë nga presidenti Florentino Perez, që mori në shqyrtim të gjitha kandidaturat e mundshme, Konte, Poçetino, Raul Gonzales dhe Shabi Alonso. Ançeloti u vlerësua si më i përshtatshmi për përvojën e madhe, njohjen që ka për klubin dhe për faktin se di të sillet me yjet e mëdhenj. Kjo nuk mund të thuhej edhe aq për Konten, Poçetino ka pengesa nga Paris SG, ndërsa Raul e Shabi Alonso cilësohen ende tepër të rinj për një stol si ai në “Bernabeu”.

Mediat spanjolle, britanike apo franceze shkruajnë se veprimi i Perezit mund të konsiderohet edhe një hakmarrje për Zinedin Zidanin, që jo vetëm u largua me hatërmbetje nga Reali, por edhe goditi me anë të një letre të hapur të ashpër drejtuar tifozëve, ku shpjegonte arsyet që sipas e tij e shtynë që të jepte dorëheqjen.

Sfidanti.al