Ançeloti: Historia e Realit na ndihmon që të ecim përpara!

Dikur, në shekullin e 18-të, Frederiku i Madh i Prusisë, thoshte për ushtarin rus se “atë mund ta vrasësh, por nuk e mposht dot, dhe duhet ta qëllosh dy herë edhe i vdekur”. i tillë duket Reali i Madridit, që sikur është kthyer në traditën e viteve 80-të, kur me ekipin e jashtëzakonshëm të trajnerit Leo Benhaker, përmbyste rezultatin ndaj Interit të Milanos (dy herë), Borusias së Mynshengladbahut apo Crvena Zvezdës së Beogradit, Bajernit të Mynihut, ndonëse shpesh u detyrua të dorëzohej përballë Bajernit, PSV Ajndhovenit apo Milanit të madh të holandezëve.

Edhe ekipi i sotëm i trajnerit Karlo Ançeloti tregon një karakter të tillë, duke u mbështetur tek “fortesa” “Santiago Bernabeu”. Paris SG u përmbys me shifrat 3-1, Çelsi u kalua edhe pse u humb 2-3 në Madrid, ndërsa me Sitin ishte i njëjti rezultat si ndaj francezëve, 3-1. Tani mbetet finalja e Parisit ndaj Liverpulit, një ekipi që gjithashtu është mësuar të bëjë përmbysje të pabesueshme në “Anfild”, si ato ndaj Sent Etienit, Okserrit, Olimpiakosit, Dortmundit e sidomos Barcelonës.

“Na ndihmon historia e Realit për të vazhduar përpara, – thotë trajneri Karlo Ançeloti, – nuk mund të them se jemi mësuar me një jetë të tillë, por kështu ndodhi këtë herë, kështu ndodhi ndaj Çelsit dhe PSG-së. Historian a ndihmon të besojmë edhe kur duket se jemi mundur. Ndeshja ishte shumë e vështirë, thuajse kishte marrë fund, por gjetëm energjinë e fundit që kishim. Ishim përballë një rivali shumë të fortë. Jam i lumtur që do të jem në një tjetër finale, në Paris, përballë një tjetër rivali të madh. Jemi mësuar me finalet, do të jetë një ndeshje fantastike”.

Sfidanti.al