Roma-Fejënord, finalja e Ligës së Konferencës në “Arenën Air Albania”!

Të frikshmit ultras të Olimpikut të Marsejës nuk do të udhëtojnë drejt Tiranës. Fejënordi arriti ta përballonte skuadrën franceze në një ndeshje nervash në stadiumin “Velodrom” dhe në “Arenën Air Albania”, në finalen e Ligës së Konferencës në 25 maj, do të jetë ekipi holandez që kishte fituar 3-2 gjysmëfinalen e parë në stadiumin e vet “De Kuip” të Roterdamit. Gjithsesi, në Shqipëri pritej me interesim më të madh gjysmëfinalja tjetër, ajo mes Romës dhe Leisterit anglez.

Italianët ia dolën të kualifikoheshin falë një goli të sulmuesit anglez, Tami Abraham, që në minutën e 11-të, ndërsa më pas luftuan “dhëmb për dhëmb”. Zhoze Murinjo arrin finalen e tij të 8-të europiane, ndërsa të parën e arrin edhe qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, që ishte në stol në sfidën e stadiumit “Olimpiko”. Ndeshja e parë në Angli kishte përfunduar 1-1. “Bijtë e Ujkojës” do të përpiqen të fitojnë trofeun e dytë europian, pas Kupës së Qyteteve Panaire (më pas Kupa UEFA dhe sot Liga e Europës) në 1961 me triumfin ndaj Birmingemit anglez në finale. Në historinë e verdhekuqve janë edhe dy finale, ajo e Kupës së Kampionëve në 1984, humbur me penallti përballë Liverpulit në Romë dhe ajo e Kupës UEFA në 1991 humbur përballë Interit

Në Ligën e Europës, finalja do të jetë mes gjermanëve dhe skocezëve. “Biletën” për në Sevilje e “prenë” Frankfurti gjerman që mundi përsëri Uest Hemin anglez 1-0, dhe Gllazgou Rejnxhërsi që eliminoi skuadrën favorite gjermane të Lajpcigut duke e mundur 3-1 në Skoci, pas humbjes 0-1 në Gjermani.

Liga e Europës

Ajntraht Frankfurt-Uest Hem 1-0 (2-1), Gllazgou Rejnxhërs-Lajpcig 3-1 (0-1).

Liga e Konferencës

Roma-Leister 1-0 (1-1), Olimpik Marsejë-Fejënord 0-0 (2-3)

Sfidanti.al