Alegri tërbohet për penalltinë, por nuk pranon të flasë për arbitrin

Është i qetë kur gjithçka përfundon dhe ka aq shumë përvojë saqë të marrë shtruar gjithçka që ndodh. Masimiliano Alegri ka fitur jo pak me Juventusin, ndaj nuk e ka dramë një humbje me Interin, qoftë edhe kaq të rëndësishme. Disfata në Torino e lë ekipin e tij jashtë garës për titull, ndonëse erdhi me disa polemika për penalltinë që u gjuajt dy herë nga Çalhanoglu, ndërsa Juvja kërkoi 2 penallti për vete. Në momentin kur penalltia u gjuajt sërish, ai hoqi xhaketën dhe thuajse e grisi, por pas ndeshjes ishte i qetë. “Nuk ia vlen të flasësh tani për arbitrin, – theksoi ai, – jemi jashtë garës për titull, na duhet të mbledhim pikët për Championsin dhe të bëhemi gati për vitin tjetër”. Alegri theksoi se Juvja luajti më mirë se Interi, por “këtë vit në ndeshjet e mëdha nuk na ka ecur”. Pastaj kritikoi mediat për akuzat ndaj torinezëve: “Duhet të dinë se çfarë është futbolli pastaj të flasin”.

Sfidanti.al