Mund ta nisnim me Lionel Mesin, lojtarin më të mirë të botës, siç kemi bërë shpesh, por le t’ia lemë vendin e parë një skuadre shumë të lavdishme, por që po habit Europën sesi mund të rikthehet sërish tek ajo lavdi. Ajaksi i Amsterdamit eleminoi një tjetër superfuqi kontinentale, Juventusin, pasi një raund më parë “fshiu” nga rruga e tij kampionen në fuqi, Realin e Madridit.
Në dy ndeshje, 180 minuta plus shtesën, holandezët ishin shumë më lart sesa “Zonja e Vjetër” e Italisë, që këtë herë u duk vërtet e shtyrë në moshë. Pavarësisht përvojës, fanelës dhe emrave të mëdhenj si Ronaldo, Bonuçi, Dibala apo Pjaniç, formacioni i Masimiliano Alegrit u duk si një fillestar futbolli përballë mjeshtrave të vërtetë. E tillë ishte diferenca, edhe në Holandë, edhe në “Alianc Stadium” të Torinos, sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes së kthimit.
Nuk bëri punë goli i përhershëm i Kristiano Ronaldos, pari Ajaksit s’iu bë vonë fare, por vazhdoi me futbollin e tij total, të udhëhequr nga De Ligt në mbrojtje, De Jong në mesfushë dhe Tadiç në sulm. Doni De Bek dhe kapiteni adoleshent Matijs De Ligt ishin autorët e golave, nga një në secilën pjesë, por ekipi i trajnerit Ten Hag krijoi spektakël dhe humbi raste të shumë me Zijeçin, Tadiçin apo Neresin. Holandezët arritën gjysmëfinalen e parë që nga viti 1997, dhe nuk kanë humbur asnjë ndeshje jashtë fushe këtë sezon në Champions.
Në “Kamp Nou”, ndërkaq, ndodhi magjia numër dy e së martës. Mançester Junajtid shkoi në fushën e Barcelonës me besimin se mund ta përmbyste humbjen 0-1 të “Old Trafordit”, por shpejt e kuptoi se nuk i kishte bërë hesapet mirë. Dëshira nuk mungoi, as forca fizike dhe karakteri, por dorëzimi ishte total përpara talentit dhe organizimit. Lionel Mesi shënoi dy gola për pak minuta, i pari një kryevepër, dhe i dyti i ndihmuar nga gabimi i portierit De Gea. Pas kësaj nuk pati më ndeshje, ndërsa katalanasit fiksuan shifrat e merituara 3-0 me supergolin e Kutinjos. Barça pati edhe shumë raste të tjera, por në futboll, jo çdo mundësi kthehet në gol.
Mesi tregoi se vazhdon të mbetet lojtari më i mirë në botë, dhe me diferencë, duke qenë shpirti dhe truri i skuadrës së tij, krijues i thuajse çdo aksioni dhe një kapiten i përsosur, që kurrë nuk mendon vetëm për veten, por më parë për skuadrën. Barcelona vazhdon të mbetet favorite për të fituar Championsin, në radhë të parë sepse është një skuadër.
Argjentinasi po vazhdon një sezon të madh, pavarësisht se shpejt mbush 32 vjeç. Ai ka shënuar 45 gola në vetëm 42 ndeshje, diçka që nuk e ka arritur askush, me Kristiano Ronaldon shumë prapa. Në Champions, këtë vit, ka 10 gola në 8 ndeshje, dhe është shpresa kryesore që Barcelona mund të fitojë titullin e parë që nga viti 2015.
Sfidanti.al