Në pranverën e vitit 1986, Diego Armando Maradona pati një vizitor të veçantë në Napoli, trajnerin e Argjentinës, Karlos Salvador Bilardo. Dy burrat biseduan larg syve “të botës” dhe nga ai takim lindi projekti i Botërorit 1986, ku argjentinasit dolën kampionë të botës dhe ku Maradona u konsakrua si lojtari më i madh në rruzull, ndoshta në të gjitha kohët, apo ndoshta baraz me Pelenë. U desh zgjuarsia e një trajneri për të zgjuar gjeniun tek një legjendë në atë kohë e çoroditur.
Pep Guardiola dhe Kun Aguero nuk kanë pasur “dashuri me shikim të parë”, si Bilardo me Maradonën. Nuk pati një takim “mrekullibërës” mes tyre për të ringjallur lojtarin e madh tek një futbollist që dukej se po e shkonte kot talentin dhe karrierën. Gjithsesi, tre golat e shënuar dje pasdite nga argjentinasi për Mançester Sitin ishin një shenjë e qartë që tregoi se “kura” Guardiola kishte funksionuar.
Sot, Aguero është “një legjendë e klubit”, ndërsa në fillim të këtij viti për pak sa nuk u quajt “i tepërt” dhe vendin në formacion ia zuri braziliani i ri, Gabriel Zhezus. Kjo vënie në diskutim bëri që Kun, i cilësuar si barabar i talentuar me Mesin, të reagonte me sedrën e lënduar. Një profesionist i madh, ai nuk e mori personale me trajnerin, edhe pse mund ta ketë mallkuar së brendshmi, por u përpoq të kuptonte.
“Gjithmonë mendimi im ka qenë se Sergio punon shumë, – u shpreh Pepi pas ndeshjes së fituar 6-0 në Premier Ligë në fushën e Uatfordit, – unë kam kërkuar vetëm që ai të impenjohet pak më shumë në lojën pa top. Nuk më duhet një sulmues që thjesht shënon gola, por duhet të kryhen edhe detyra mbrojtëse, po ashtu duhet të lëvizë pa top. Nuk dua që të shkojë të lodhet në palestër, por ta kërkojë vazhdimisht topin nga pozicione të ndryshme. Kjo vlen sidomos për sulmuesit”.
Aguero bën tani pikërisht këtë. Trajneri është i zoti që ia mëson, ndërsa ai është i zoti që e bën si pak të tjerë. Me 6 golat në 6 ndeshje këtë sezon, Kun duket se e ka shpëtuar Guardiolën nga një hall. Është e njohur historia e 300 milionë eurove që Siti ishte gati t’ia jepte Barcelonës për Mesin. Dihet edhe përpjekja për të marrë Kilian Mbapenë apo Aleksis Sançezin. Tani duket se gjithçka nga këto është arkivuar, pasi Guardiola e ka gjetur gjeniun e tij. Bashkë me Gabriel Zhezusin dhe Rahim Stërlingun, reparti sulmues është i plotësuar.
Sfidanti.al