“Matematika e titullit” në F1, Fetel mund të shkëputet 12 pikë nga Hamilton!

Fitoi raundin e parë në Singapor dhe besohet se është më pranë fitores finale. Sebastian Fetel doli nga “askundi” për të thyer Verstapenin dhe Red Bullin dhe për t’i dhënë vetes e Ferrarit një mbrëmje të madhe në Lindje. Në një xhiro përfundimtare, i shtyrë nga një frymëzim i rrallë dhe nga makina e përmirësuar si një qiell që mbetet pa re, piloti gjerman la pas gjithë të tjerët, ndonëse iu desh të përplasej me muret anësore të pistës.

“Nuk ishin fërkime, por përplasje, – tha katër herë kampioni i botës, – për fat, nuk kishin mbetur shumë metra për të përfunduar xhiron”. Rivali i tij, kryesuesi i Botërorit, Ljuis Hamilton mbeti i pesti. Pritej që makina Mercedes të haste vështirësi në këtë lloj piste, dhe ajo u la pas edhe nga Ferrari, edhe nga Red Bulli. Gjithsesi, Hamilton bëri maksimumin dhe këtë e tregon diferenca prej 7 të dhjetash me shokun e tij të skuadrës. Nëse gara përfundon me pilotët në pozicionet si në nisje, Fetel do të dalë 12 pikë mbi anglezin në renditje, ndërsa do të mbeten vetëm 7 gara deri në fund. Pista e Singaporit njihet që nuk të jep shumë mundësi parakalimi, pra “pole position” është shumë i rëndësishëm, thuajse vendimtar. Hamiltonit do t’i duhet  një mrekulli.

Sfidanti.al