Sikur të kishte gojë arbitri Myrtja dhe të tregonte se çfarë i kanë dëgjuar veshët në atë moment, futbollisti Ditmar Bicaj i Flamurtarit nuk do të jepte atë “leksion guximi” pas atij episodi flagrant. Ishte minuta e 24-t e ndeshjes Flamurtari-Lushnja dhe mbrojtësi duke u afruar tek arbitri, nxorri nga goja ca fjalë që e përvëluan në çast djaloshin Myrtaj, Fjalë përcelluese sa me kartonin e kuq në dorë, dukej përsëri i pangopur me ndëshkimin. Kur Zidan goditi me kokë italianin provokues Materaci, e gjithë bota prishi gjumin për të gjetur “helmin” e italianit. Askush nuk prish gjumin në Superligë për një sharrje “biologjike” sepse është kampionati ku arbitrat durojnë deri në limite, krejt ndryshe nga kolegët në Europë, sepse janë porositur të “vrasin” me kartonin e kuq kur fyerja troket në portat e familjes.
Çfarë të tha Bicaj, o Myrtaj, pse ke frikë? Ashtu si kolegët e tjerë, që e vdesin mënxyrën, ai qep gojen, ndërsa futbollisti ka privilegjin të flasë nga katedra. “ Jam i befasuar nga kartoni, ndofta ishte shumë i guximshëm. Është kurajo e madhe të ndëshkosh një futbollist në atë mënyrë, në atë minutë. Duhet të kesh shumë guxim..” Sa bukur kur flet për guximin e arbitrit , për një vendim që paska prishur “spektaklin” e ndeshjes. Dhe sikur të ishte sulmues dhe jo mbrojtës, driblon pa iu dridhur qerpiku me finten e dalë boje se “isha i nxehur me shokët e ekipit dhe jo me arbitrin”. Madje, ka një moment deliri, ku Bicaj harron që është “punëtor” në fushë, heq petkun e proletarit dhe flet sikur të ishte nga misionaret e zyrave: “ Deri në minutën e 30-të nuk është luajtur futboll për paaftësi të arbitrit,(sigurisht se doli jashtë ne 27-tën) i cili duhet të ishte më këmbë në tokë dhe shumë i përgjegjshëm”. Kështu si flet mbrojtesi shqiptar me emër gjerman, Ditmar, vetëm në Superligë mund të përjetohet kaq “mrekullisht”, sa duket se paska qënë arbitri që ka fyer futbollin dhe futbollistin e pafajshem…
Sfidanti.al