“Një vjedhje në Las Vegas”, gjyqtarët i heqin Golovkinit fitoren, por jo titujt!

Ka shumë zhurma dhe jehona për ndikimin e dikurshëm (po tani?) të Mafias në ndeshjet e boksit në Las Vegas. Këtë alarm ngriti gazetari i “Deili Meilit” menjëherë pasi gjyqtarët e deklaruan në barazim sfidën e madhe mes Genadi Golovkinit dhe Kanelo Alvarezit. Reporterët amerikanë të ESPN-së dhe HBO-së nuk folën për Mafia, por gjithsesi kundërshtuan një rezultat që ata e quajtën të gënjeshtërt. Përshtypja është unanime: Golovkin duhej të ishte shpallur fitues, pasi lëshoi më shumë grushta dhe fitoi më shumë pikë sesa Alvarez. Gjithsesi, barazimi mjaftoi që Golovkin të ruante titujt e tij në federatat

Nuk dihet nëse gjyqtarët Dejv Moreti, Adelajd Bërd dhe Don Trela patën ndonjë ndikim të jashtëm, ashtu menduan, apo u ndikuan nga numri i madh i tifozëve meksikanë pro Alvarezit, ndërsa ndeshja u zhvillua pikërisht në Festën Kombëtare të Meksikës. Moreti dha 115-113 për Golovkinin, Bërd 117-110 për Alvarezin dhe Trela dha barazim 114-114. Besohet, që të tre u treguan të padrejtë me boksierin nga Kazakistani. ESPN, HBO apo Deili Meil nxorrën përfundimin 116-112 për kazakun.

Golovkin ishte favorit përpara luftimit, e nisi atë më keq, u bë dominues në pjesën tjetër të raundeve, ndërsa Alvarez mundi të rikthehej pjesërisht në dy fraksionet e fundit. Veterani 35-vjeçar ishte favorit sipas parashikuesve dhe ai ia doli t’i respektonte ato parashikime përballë rivalit më të fortë të karrierës. Alvarez ka pësuar vetëm një humbje në 53 ndeshje, atë me pikë ndaj të madhit Flojd Mejuedhër. Meksikani 27-vjeçar, megjithatë, nuk e arriti dot nivelin teknik të kazakut. Të dy boksierët deklaruan më pas se janë gati të luftojnë sërish.

“Ishte një spektakël i madh dramatik, – tha Golovkin, që ka rekordin 37 fitore, 1 barazim, 0 humbje, ndërsa e ka mbrojtur 19 herë titullin, një më pak se rekordi botëror, – nuk është faji im për rezultatin. Ju e shikoni se kush i ka brezat e kampionit”!

Dueli ishte vërtet i madh, një nga më të mëdhenjtë në histori, me Golovkinin që goditi më shumë, por edhe me Alvarezin që iu përgjigj. Të dy boksierët treguan se dinë të japin grushta të fortë, dhe të përballojnë grushtat e rivalit në fytyrë. Sidomos, mjekra e Golovkinit doli po aq e fortë sesa flitej.

Sfidanti.al