Interi jep Brozoviçin për Ozilin,  Vengerit s’i mbarojnë hallet

Duket qartë se Interi ka në plan që ta shfrytëzojë amullinë që është krijuar në bisedimet mes Mesut Ozilit dhe Arsenalit, me qëllim që të mund ta sjellë këtë futbollist gjenial gjerman në “Xhuzepe Meaca”. Në fakt, kontrata e Ozilit skadon në fund të këtij sezoni, ndërkohë që për ndonjë kontratë të re nuk bëhet fjalë. Sezoni dimëror i transferimeve do të jetë mundësia e fundit që klubi i “topçinjve” të fitojë para nga shitja e këtij mesfushori ofensiv.

Interi ka në plan që ta shfrytëzojë situatën e krijuar dhe ka dërguar një ofertë, siç thuhet, jo financiare, për një shkëmbim direkt të Ozilit me Marselo Brozoviçin. Dihet se ndryshimi mes vlerave të këtyre dy futbollistëve është shumë i madh, por, në fakt, çmimi i Ozilit ka rënë dhe kjo është arsyeja e “sulmit” të Interit për ta sjellë këtë mesfushor vizionar në radhët e veta.

Trajneri i Arsenalit, Venger, ndodhet përballë një dileme të madhe, nëse ta mbajë, deri në fund të sezonit, Ozilin, apo ta pranojë humbjen e tij dhe, të paktën, të sigurojë shërbimet e Brozoviçit, për të cilin Arsenali ka dy vite që interesohet. Një shkëmbim i tillë do të ishte një biznes mjaft i leverdisshëm për Interin, duke pasur parasysh se ai do të siguronte një lojtar të klasit të lartë në shkëmbim të një lojtari që nuk është zgjedhje standardi për Luçiano Spaletin.

Sfidanti.al