Opinionistët si Geri Nevil apo Xhemi Karrager kanë thënë se “djajtë e kuq” kanë vetëm dy blerje të “goditura” që pas largimit të Sër Aleks Fergusonit në 2013, ndërsa të tjerët kanë qenë dështime. Me pak fjalë, flitet për dështim të Mançester Junajtidit sepse është e pamundur logjikisht të jetë faji i dhjetëra lojtarëve, dhe këtë gjë duhet ta ketë mirë parasysh Kasemiro për të vendosur nëse ia vlen të shkojë në “Old Traford”. Edhe në kohën e Fergit ishte e vështirë që një lojtar të braktiste “Bernabeun” për Junajtidin, aq më pak sot. Gjithsesi, anglezët kanë trokitur në derë të presidentit Pere dhe kërkojnë mesfushorin brazilian. “Pazari” mund të jetë 70 milionë euro, ndërsa në Spanjë ka shpërthyer debati. Të pranojë Reali apo jo? Ka nga ata që thonë se me 70 milionë euro ia vlen për një 30-vjeçar, aq më tepër që Ançeloti ka Çuamenin, Valverden dhe Kamavingën. Ka të tjerë që thonë se Kasemiro mbetet “shtyllë” e Realit, ndërsa për çfarë ndodh në “Old Traford” le të pyesë ish-shokët e tij në Madrid, Varanin dhe Kristianon.
Sfidanti.al