A do ta ndihmojë “fenomeni” Martinez Mesin që të fitojë një titull me Argjentinën?

Zakonisht i falen këmbëve të tij, por këtë herë i duhen falur duarve të Emiliano Martinezit. Portieri i Aston Vilës mbajti gjallë ëndrrën e Lionel Mesit për të fituar më në fund një titull me Argjentinën, pasi priti 3 penallti në gjysmëfinalen ndaj Kolumbisë. “Gauçosit” luajnë finalen në Rio de Zhaneiro me Brazilin dhe synimi është që të thyhet mallkimi, pasi Mesi ka humbur dy finale të Kupës së Amerikës si dhe finalen e Kupës së Botës.

“E dinim se do të ishte një ndeshje shumë e vështirë, – tha Mesi, – në pjesën e parë luajmë mirë dhe shpejt, por pas pushimit normal që Kolumbia do të bënte presion. Për fat të keq na barazuan në fund, por kishim besim tek penalltitë sepse e dinim se kishim një fenomen në portë. Tani kemi një tjetër finale, dhe shpresoj të jetë ajo e duhura”.

Heroizmat e Emiliano Martinezit u kujtuan tifozëve argjentinas klasin e portierit Sergio Goikoeçea, i cili luajti vetëm sepse u dëmtua titullari Pumpidu, ndërsa priti tri penallti në çerekfinalen e Kupës së Botës 1990 në Itali ndaj Jugosllavisë, duke siguruar kualifikimin, pasi Diego Maradona e kishte humbur penalltinë e tij.

Sfidanti.al