Interi apo Barcelona, Valverde mendon Realin, por Konte kërkon mrekullinë!

Një udhëtim jo shumë i gjatë, por padyshim mjaft i vështirë. Barcelona që do të luajë sonte ndaj Interit në Champions i shqetëson shumë pak tifozët e saj, jo për shkak kualifikimi sepse ai është arritur, por sepse mungesat e shumta mund të sjellin edhe një turpërim. Skuadra që përshkoi 800 km që ndajnë kryeqendrën katalanase nga Milano është tepër e cunguar për ndeshjen e orës 21:00.

Neto pritet të jetë portier i parë, ndërsa Ter Shtegen në stol. Lionel Mesi dhe Gerard Pike nuk udhëtuan aspak drejt Italisë, ndërsa trajneri Valverde ka edhe problemin e dëmtimeve, pasi për këtë shkak mungojnë Zhordi Alba, Dembele, Artur dhe Semedo. Valverde vendosi të përqëndrohet për momentin tek La Liga, ku pas një jave luan El Klasikon ndaj Realit, dhe jo tek Championsi, dhe ishte shumë domethënës fakti se në konferencën për shtyp, në krah të tij në “San Siro”, ishte një djalë i ri si Zhunior Firpo.

“Ne ishim të detyruar të bënim ndryshimet, pavarësisht nga fakti nëse duam ose jo të fitojmë ndaj Interit, – u shpreh trajneri, – na duhet një javë e plotë për t’u përgatitur për ndeshjen ndaj Realit. Jemi të përqëndruar te kampionati ku kemi 3 ndeshje të vështira deri në Krishtlindje, ndërsa në Ligën e Kampionëve jemi të kualifikuar”.

Në “San Siro” ndërkaq pritet festë. Nëse fitorja nuk është e sigurt, Interi ka garanci të plota për të fituar nga 7.5 deri në 8 milionë euro nga shitja e biletave, një rekord absolut në Itali, duke kaluar shifrën prej 6.5 milionësh të duelit Inter-Juventus. Trajneri Antonio Konte, ashtu si Valverde, gjithashtu nuk është pa minuse, por firot i ka më të vogla dhe konkretisht nuk mund të mbështetet tek Aleksis Sançezi, Barela e Sensi.

“Nuk di të them nëse kjo është ndeshja më e rëndësishme si trajner i Interit, – tha Konte, – por, e dimë se këtu vendoset kualifikimi. Ky është një moment përcaktues, dhe e dinim se kështu do të ishte pasi ndodheshim në grupin e vdekjes. Është gjë e madhe që jemi ende në pretendime, duhet të jemi krenarë me veten tonë. Gjithsesi, duam të vazhdojmë në këtë garë”.

Interi kualifikohet nëse fiton, ose edhe nëse barazon, me kusht që Dortmundi të mos triumfojë dot ndaj Sllavia së Pragës. Parashikimet japin favoritë italianët me kuotën 1.6, ndërsa katalanasit kanë koeficientin e lartë 4.5 për të fituar.

Sfidanti.al