Dukej si një armatë angleze tifozësh, nga ata që këndojnë dhe mbushin me jetë stadiumin, edhe kur ekipi i tyre e ka filluar mbrapsht takimin, duke pësuar gol. Tifozët bardheblu kanë qënë lojtari më i rëndësishëm për Tiranën në përmbysjen ndaj Teutës. Fillim-mbarim, siç thonë korçarët për dasmat, protagonizmi i tyre ishte një art për të lehtësuar punën e njerëzve të fushës. Këndonin hareshëm edhe kur Gripishi i Teutës realizoi golin e vitrinës, kënduan deri në fund, duke “përmbysur” rezultatin , për t’u bërë asist tek golat e Hoxhallarit, një goditje me kokë në formë truele, tek goli i Muçës, i Takut, që i vuri damkën një aksioni elegant.
Tirana e nxitur nga tifozët bardheblu, nga kushtrimi i tyre për të qënë fitues, ka më shumë frikë nga vetja se nga të tjerët. Nëse pyesni Dajën, trajnerin që iku, përgjigja mund të jetë dekurajuese. Nëse besojmë tek përvoja, tifozët janë kampionët e vërtetë të vazhdimësisë, në krahasim me futbollistët në fushë që dasmë nuk bëjnë dot çdo javë.