Fazën e parë fitoi “Zonja e Vjetër”, ndonëse sot gjërat duken ndryshe. Interi e Juventusi do të vihen sërish përballë në Derbin e Italisë, këtë herë në stadiumin “San Siro”, ku në orën 21:00 do të jenë të pranishëm plot 75 000 spektatorë. Të dyja skuadrat duan fitoren në një përballje tepër të ndjeshme, ndonëse shanset më reale për zonën Champions i ka Interi. Skuadra e trajnerit Inzagi u stërvit me qetësi pas kualifikimit të vështirë në Champions, ndonëse problemet në mbrojtje janë të mëdha. Dy emrat kryesorë, Shkriniar e Bastoni, mungojnë, po ashtu Gosens në krah. “Ne e dimë se çdo të thotë kjo ndeshje për klubin, për ne dhe për tifozët. Do të përballen dy ekipe që janë në formë dhe kanë arritur kualifikime të rëndësishme në Europë. Do të jetë një sfidë e fortë, me ritëm të lartë, e luftuar deri në fund, pasi këto ndeshje janë pikërisht të tilla”.
Juventusi udhëtoi drejt Milanos me besimin e një ekipi që e ka marrë veten, dhe që nuk ka se çfarë të humbasë. Nëse i kthehen pikët, do të jetë në Champions, nëse jo askush nuk mund ta kritikojë. Trajneri Alegri ka disa mungesa si Pogbanë, Aleks Sandron, Kaio Zhorgen, Milikun e ndoshta edhe Bonuçin. Di Maria duket më mirë e do të jetë në balotazh me Kiezën. “Së pari duhet të luajmë një ndeshje të shkëlqyer përballë një Interi të fortë dhe përpara 75 000 tifozëve. Është Derbi i Italisë, pra do të jetë një ndeshje tërheqëse dhe duhe të tregohemi të zotët. Do të vendos në fund për Di Marinë apo Bonuçin”.
Dy ekipet janë ndeshur shpesh në kampionat, në kupë dhe në superkupë sezonet e fundit, dhe zikaltërit ia kanë dalë më shpesh që të fitojnë. Interi ka 50 pikë në renditjen e Serisë A, ndërsa Juvja ka 38, por vetëm sepse i kanë hequr 15 pikë si ndëshkim.
Sfidanti.al