Dy përballje të tjera të rëndësishme luhen sonte. Në orën 21:00, në fushë zbresin Juventusi në stadiumin e Vijarrealit në Spanjë dhe Çelsi në shtëpinë e tij ndaj Lilës. “Zonja e Vjetër” vjen në momentin më të keq, të paktën për dëmtimet. Bernardeski, Kieza, Kielini, Rugani dhe Dibala nuk luajnë, ndërsa Bonuçi e Pelegrini besohet se mund të jenë në stol. Trajneri Alegri, gjithsesi, ka një skuadër të rëndësishme, edhe pse kriza në qendër të mbrojtjes është e dukshme, ndërsa në sulm do jetë dyshja Morata-Vlahoviç. Alegri vlerëson Vijarrealin.
“Ata janë në moment të mirë pasi e nisën keq kampionatin, – thotë ai, – është një skuadër e organizuar, teknike, me përvojë, ne një trajner shumë të zotin. Vijarreali nuk pëson lehtë gol. Një ndeshje shumë taktike. Duhet të tregohemi të zotë, me mentalitetin e duhur e të kemi shumë durim”. Vijarrealit i kthehet sulmuesi Pino, por mungesa e golshënuesit kryesor, Moreno, është një goditje e rëndë. Mungesa janë edhe Kokelen dhe Pena, ndërsa Kapu e Lo Selso janë në dyshim. Forma e “nëndetëses së verdhë” në kampionatin spanjoll, gjithsesi, është e mirë siç e tregoi fitorja 4-1 në fushën e Granadës.
Dueli tjetër i mbrëmjes është Çelsi-Lilë. Anglezët, kampionë të Europës e të botës në fuqi janë padyshim favoritë ndaj francezëve, pavarësisht krizës së Romelu Lukakut. Gjithsesi, fitorja e vështirë ndaj Kristël Palasit në kampionat tregoi sesa ndikon momenti i keq i sulmuesit belg të marrë për 115 milionë euro, aq sa e pranon edhe trajneri Tomas Tuhel. “Me të vërtetë nuk di se çfarë të bëj me të, – tha gjermani, – Kështu ndodh ndonjëherë me sulmuesit, e humbin besimin në vetvete, por nuk është koha për ta vënë në vështirësi. Ai është në qendër të vëmendjes, por ne do ta mbrojmë”. Bluve të Londrës u mungojnë disa lojtarë si Maunt, Hadson-Odoi, Çiluell apo Risi Xhejms Sa për Lilën, duket tepër e largët koha kur fitoi titullin në Francë verën e kaluar. Largimi i trajnerit dhe i disa lojtarëve ndryshoi gjithçka, ndaj edhe do të ishte ndonjë mrekulli nëse do të arrihej ndonjë rezultat pozitiv në “Stemford Brixh”.
Sfidanti.al