Klasike pa tifozë ! Ky është misioni i formulës.. ?

Ndeshja e javës së parafundit mes Tiranës dhe Vllaznisë, shumë e rëndësishme për bardheblutë por edhe për shkodranët u luajt në një atmosferë surreale. Gjigandi “Air Albania” i boshatisur dhe i braktisur nga tifozët. Ata qindra që e ndoqën sfidën nga shkallët dëgjonin qartësisht thirrjet e trajnerëve apo kontestimet e lojtarëve në një stadium që ngjasonte më shumë me një teatër. Si për të vendosur “qershinë mbi tortë” menduan lojtarët e të dyja skuadrave që mbyllën një 90 minutësh pa gola e nerv, aspak të denjë për një klasike.

E qartë tabloja se në çfarë derexheje është katandisur futbolli superior që bën mirë ndoshta të importojë tifozë nga Kategoria e Parë apo e Dytë. Askush më shumë se lojtarët, trajnëret apo presidentët e tifozët nuk e vuan këtë situatë surreale që po kthehet në mankth. FSHF planifikon që finalja katërshe të fshijë zhgënjimin e madh të formulës së re madje presidenti Duka u shpreh i bindur se kjo formulë do ta ndihmojë futbollin shqiptar. Nëse ndihma është kjo e stadiumeve bosh dhe futbollit mediokër, atëherë misioni është përmbushur…!

Nga Pirro Bardhyli