Fabio Capello e cilësoi si “nektarin” lojës dhe është e vërtetë, Real Madrid-Bayern Munchen ishte ndeshja ku i gjithë futbolli përmblidhet në 105 minuta. Agresivitet, kundërsulme, raste, shtylla, gola në frymën e fundit dhe një finalist i zakonshëm, Real Madrid. Në mbrëmjen e “Bernabeut” ishte pikërisht Reali i zakonshëm sepse gjithçka tjetër tregoi se sa vite dritë larg janë kompeticionet e tjera të futbollit europian krahasuar me madhështoren dhe hijerëndën Champions League. Si për ironi, Reali që këtë sezon kërkon të 15-ën, synon edhe ta shkatërrojë lodrën e tij për të ndërtuar Superligën, ashtu siç bëjnë fëmijët pasi rriten e ndërgjegjësohen për aftësitë dhe forcën e tyre. Ndërhyrja e Perez në fund të fundit është normale në një botë ku ligjin duhet ta bëjnë ata që bëjnë edhe spektaklin por UEFA nuk dëshiron ta lëshojë monopolin e futbollit në kontinent. Gjithsesi, kjo është një luftë tjetër mes të mëdhenjve, deri në ditën e fituesit të vërtetë edhe në zyra, bota mund të shijojë klasike të tilla që luhen në realitete apo universe paralele.
Nga Pirro Bardhyli