Kampionati “Abissnet Superiore” do të ulë siparin të hënën në mbrëmje, kur në orën 20:00, në “Arenën Kombëtare” do të zhvillohet finalja e madhe mes Vllaznisë dhe Egnatias, e cila do të vendosë se kush do të shpallet kampioni i ri i Shqipërisë. Do të jenë kuqeblutë ata që do të rikthehen në fronin e futbollit shqiptar, apo Egnatia do të mbrojë titullin dhe do ta mbajë trofeun në Rrogozhinë?
Një pyetje që do të marrë përgjigje mbrëmjen e së hënës në “Arenën Kombëtare”. Kjo përballje vjen pas një sezoni të mbushur me rivalitet dhe surpriza, ku të dyja skuadrat kanë treguar forcë, qëndrueshmëri dhe ambicie të qarta për titullin. Në historikun e përballjeve direkte, Egnatia ka një bilanc më të mirë. Në 25 takime, rrogozhinasit kanë fituar 11 herë, Vllaznia 6, ndërsa 8 ndeshje janë mbyllur në barazim. Por kjo nuk garanton asgjë për këtë finale, ku gjithçka do të vendoset në fushën e blertë të “Arenës Kombëtare”. Atmosfera pritet të jetë elektrizuese, me tifozë nga i gjithë vendi që do të ndjekin këtë sfidë vendimtare për titullin më të rëndësishëm në futbollin shqiptar.
sfidanti.al