Trajneri dhe kapiteni e cilësojnë si një finale

Kur ka mbetur një ditë nga ndeshja e parë ‘finale’ e muajit nëntor ndaj Moldavisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’, trajneri Silvinjo dhe kapiteni i skuadrës, Berat Gjimshiti kanë dalë në konferencën zyrtare për media nga stadiumi ‘Zimbru’ në Moldavi. Tekniku brazilian dhe mbrojtësi kuqezi folën për rëndësinë e kësaj sfide, ndërsa vlerësuan maksimalisht edhe ekipin kundërshtar.

Trajneri Silvinjo u shpreh se skuadra kuqezi do të hyjë në fushë nesër vetëm për të marrë tre pikët, pasi kjo është finalja e parë e këtij muaji dhe një ndeshje mjaft vendimtare për Shqipërinë. Tekniku i Kombëtares shqiptare nënvizoi se gjendja e ekipit është mjaft e mirë dhe nuk ka asnjë problem, me lojtarët që po punojnë me seriozitetin e duhur për këtë sfidë.

A mund të na favorizojë fakti që Moldavia nesër do të luajë vetëm për fitore? –  Në futboll gjithmonë luhet vetëm për fitore, nëse dy skuadra barazojnë do të thotë që asnjë ekip nuk ishte i aftë për të fituar dhe barazimin unë e shoh si pasojë e lojës, jo si një objektiv për skuadrën kur hyn në fushë. Nuk mund të menaxhohet ndeshja në këtë mënyrë duke menduar që na duhet një pikë dhe shkojmë për barazim. Përkundrazi, nesër si ne, po edhe Moldavia do të shkojmë për të marrë tre pikët në këtë sfidë jo për barazim. Sigurisht është një finale për ne dhe karikimi i skuadrës është i duhuri. Moldavia është një ekip shumë i fortë në shtëpi, ka mundur Poloninë, ka barazuar me Çekinë , kështu që do të jetë një ndeshje e vështirë.

Sa e rrezikshme do të ishte për ne nëse nuk i mbyllim nesër llogaritë e kualifikimit për në Europian? – Jemi të ndërgjegjshëm që kemi një finale nesër, një ndeshje shumë vendimtare dhe të rëndësishme. Edhe lojtarët e reflektojnë seriozitetin dhe kjo është diçka pozitive. Janë të ndërgjegjshëm për faktin që s’ka mbaruar asgjë akoma sa i përket kualifikimit. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë në shtëpi ndaj Çekisë dhe jemi përgatitur për finalen që kemi nesër. Nuk besoj se ka ndryshim sa i përket forcës që kemi treguar në këto ndeshje. Luajmë ndaj Moldavisë, një kundërshtar shumë i fortë, ekip i mirëorganizuar, kanë lojtarë që në aspektin individual janë shumë cilësorë, një skuadër shumë fizike dhe sidomos në fushën e vet janë shumë të vështirë.

Vendi i parë apo inteligjencë taktike ? – Luajmë ndaj Moldavisë, një ekip shumë i fortë që nuk ka pësuar asnjë humbje në shtëpi. Asnjë skuadër nesër nuk do të futet në fushë për barazim, në qoftë se do të ndodhi një barazim do të jetë thjesht pasojë e ndeshjes. Përsa i përket të ardhmes nuk mendoj asgjë, jam i fokusuar vetëm te ndeshja me Moldavinë në këto momente. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim strategjie, do të kemi një kundërshtar shumë fizik, i aftë në lojën në ajër, në goditjet standarte shumë i rrezikshëm. Ne nga ana tjetër jemi një skuadër që nisemi mirë në kundërsulm dhe kemi lojtarë shumë të mirë në fazën ofensive. Në këtë drejtim nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim, duhet të jemi shumë të kujdesshëm përsa i përket kundërshtarit që kemi përballë sepse siç e kemi thënë kemi një finale për të luajtur nesër dhe e dimë shumë mirë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe mendojmë 100% vetëm për Moldavinë. Kemi bërë një rrugëtim shumë të mirë por duhet fituar edhe ndeshja e nesërme.

Gjendja e lojtarëve – Puna në një Kombëtare është e vështirë. Një trajner duhet të presë deri në moment të fundit për të shpallur listën, pasi ka gjithmonë surpriza. Mund të ketë lojtarë që dëmtohen apo probleme fizike, siç na ndodhi me Ajetin, i cili për fat të keq nuk ia doli dot të ishte me skuadrën, por ne morëm Jon Mersinaj. Jemi ok me këtë listë pasi kemi lojtarët e duhur. Mendoj vetëm për këta lojtarë që kam në dispozicion. 60-70% e këtij grupi kanë luajtur thuajse të gjitha ndeshjet deri më tani dhe kanë bërë shumë mirë. Jemi të kënaqur me gjendjen e lojtarëve dhe nuk kemi probleme të tjera.

Si ndihet skuadra në aspektin psikologjik, pasi në dy ndeshjet e fundit duhet vetëm një pikë? – Në futboll të gjitha skuadrat luajnë për të fituar dhe nuk mund të hysh në lojë duke bërë llogari. Barazimi do të ishte thjesht një pasojë e 90 minutave të lojës që skuadrat prodhojnë në fushë. Ekipin e kam parë në formë të mirë, situata është e qetë, lojtarët po punojnë me seriozitet. Më vjen mirë të kuptoj prej tyre që janë të ndërgjegjshëm dhe që e kanë kuptuar se asgjë nuk ka mbaruar akoma, kështu që nesër të dyja ekipet do të hynë për fitore.

Shqipëria, surpriza e grupit dhe realitet. Avantazh për ne? – Avantazhi që kemi ne është që jemi në këtë pikë të garës dhe jemi në lojë për t’u kualifikuar. Por, që kur ka nisur fushata kualifikuese jam shprehur që kemi një grup shumë të vështirë përpara. Dhe objektivi ishte që të vinim në nëntor në këto kushte dhe realisht ne jemi në një moment të mirë. Jemi në një grup ku katër skuadra janë në lojë për t’u kualifikuar. Avantazhi ynë është fakti që ne jemi më mirë se kundershtarët në renditje por duhet të kemi parasysh që s’ka mbaruar ende asgjë dhe kemi pikë të tjera për të fituar që na duhen.

Kapiteni Berat Gjimshiti vlerësoi kundërshtarin dhe theksoi se kuqezinjtë do të futen në fushë për të marrë tre pikët, siç bëjnë gjithmonë.

A ju kujton mbrëmjen e Armenisë kjo? – Po, sigurisht që ka kujtime, sidomos kur je sërish në aeroplon dhe ke prapë në dorë kualifikimin. Sigurisht që të kujtohen ato momente të bukura dhe pozitive. Ka qenë një ndjenjë shumë e mirë dhe duhet ta përsëritim. Ka shumë lojtarë në këtë ekip që nuk e kanë përjetuar atë që e kemi përjetuar ne që jemi pak më të vjetër. Do japim gjithçka në fushë.

A jeni më seriozë së duhet këtë herë? Brenda ekipit jemi njëlloj. Presioni rritet sa më afër kualifikimit je. Besoj se presioni transformohet më së miri në fushë, presioni edhe mund të ndihmojë. Nuk duhet të shqetësohemi. Ne që kemi më shumë eksperiencë duhet t’i ndihmojmë më të rinjtë. Edhe trajneri bën punën e tij, e di çfarë u flet. E dimë se jemi shumë afër kualifikimit, por nuk duhet të harrohet rruga që kemi bërë deri këtu për ta bërë ëndrrën realitet.

Sa e vështirë do jetë? – Do jetë ndeshje e vështirë, siç kanë qenë edhe ndeshjet e tjera të them të drejtën. Do e përballojmë si gjithmonë. Nuk e harrojmë ndeshjen në ‘Air Albania’, deri në minutën e 60-të kur bëri gjuajtjen Asani nuk kishim shumë raste për të shënuar gol. E dimë vështirësinë në këtë ndeshje. Jemi përgatitur shumë mirë për t’i përballuar ato që ndodhin në fushë. Të shkojmë të gjithë në një drejtim.

A do bëjmë llogari nesër? – Unë, por as ekipi, nuk do të hyjmë në fushë për barazim. Asnjë ekip nuk futet në fushë për një pikë. Në natyrë e kemi që të futemi në fushë për tre pikë, kështu do jetë edhe nesër. Nëse nuk futesh me atë mentalitet ke shumë mundësi të gabosh akoma më shumë.

 

sfidanti.al