Tifozët e Ruhut në Poloni “e bëjnë fora”, shkelin karantinën për 100-vjetorin e klubit!

Njihen si ultras të thekur në vendin e tyre dhe në Europë. Tifozët e zjarrtë të klubit polak, Ruh i Horzhovit, kanë manifestuar shpesh kështu nëpër rrugët e qytetit, por ishin kohë lirie, ndërsa tani duhej marrë një vendim në epokën e karantinës. Siç edhe pritej, fanatiksët e Ruhut nuk pyetën shumë për gjendjen e jashtëzakonshme dhe ndëshkimet për shkak të shkeljes së izolimit, dhe dolën masivisht në rrugë për një ngjarje të veçantë.

Nuk i thonë shaka, ishte 20 prill 2020, fiks përvjetori i 100-vjetorit të klubit të tyre. Për një shekull jetë të dashurisë ia vlejnë shumë sakrifica. Ruh i Horzout është 14 herë kampion i Polonisë, rekordmen i titujve bashkë me Gornik Zabrzen, ndonëse sot për pikëllimin e madh të tifozëve, ka zbritur deri në kategorinë e katërt. Një fatkeqësi e vërtetë, por që nuk i ka ndaluar ultrasit të jenë krenar dhe të evokojnë historinë e bardhebluve të tyre. Jo vetëm kaq, por edhe Kisha Katolike në qytet organizoi një meshë për të përkujtuar 100-vjetorin e Ruhut, dhe ceremoninë fetare e publikoi të plotë faqja zyrtare e klubit në internet, edhe pse ishte 1 orë e 15 minuta e gjatë.

Nuk janë edhe aq të shumtë tifozët që mbajnë mend titullin e fundit të Ruhut të Horzhovit, pasi ai u fitua në vitin 1989, pikërisht në prag të ndryshimeve të mëdha historike, kur në Poloni u rrëzua sistemi njëpartiak dhe u vendos pluralizmi, nën nxitjen e Sindikatës së punëtorëve, Solidarnost.

Sfidanti.al