Premier League është kampionati i “të pasurve”, me pothuajse të gjitha klubet – nga ato të nivelit më të lartë deri tek ato që luftojnë për mbijetesë – që kanë një fuqi financiare dhe blerjeje dukshëm më të madhe se të gjitha konkurrentet e vendeve të tjera evropiane. Por jo gjithmonë mund të “shpenzosh sa të duash”, për shkak të kufizimeve të vendosura nga UEFA në lidhje me Fair Play Financiar. Gazeta prestigjioze The Times ka raportuar një lajm që ka tronditur futbollin anglez: edhe një tjetër gjigant i Premier League rrezikon përjashtimin nga kupat evropiane.
Sipas asaj që raporton gazeta britanike, skuadra e drejtuar nga Enzo Maresca do të kishte humbje në vlerën e 358 milionë eurove, në raport me kufirin trevjeçar prej 200 milionë eurosh, duke e tejkaluar kështu limitin me plot 158 milionë euro. Chelsea po përpiqet të negociojë një marrëveshje që do të përfshinte pagesën e një gjobe të majme, si dhe një plan shpenzimesh të kontrolluara. Por, në rast se nuk arrihet marrëveshja, ose në rast të mosrespektimit të kufizimeve të vendosura nga UEFA, atëherë blutë e Londrës do të përballeshin me sanksione shumë më të ashpra, deri – shkruajnë në Angli – te përjashtimi nga kupat evropiane.
Megjithatë, një skenar i tillë mbetet ende mjaft i largët, duke pasur parasysh fuqinë financiare të klubit londinez, i cili nuk do të kishte aspak probleme të paguante edhe gjoba shumë të kripura. Sistemi i futbollit, sidoqoftë, duhet të vendosë rregulla më të qarta dhe do të ishte mëse e nevojshme që organizata më e lartë evropiane të kontrollonte në mënyrë më të rreptë shpenzimet e klubeve, duke aplikuar sanksione dhe penalizime më të forta, dhe jo vetëm formale. Përndryshe, dhe kjo do të ishte një pasojë e pashmangshme, i gjithë sistemi rrezikon kolapsin.
sfidanti.al