Superliga po merr formë/ A është ky fillimi i fundit të UEFA-s dhe FIFA-s?

Që nga vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian kundër monopolit të UEFA-s dhe FIFA-s, Superliga nuk ka pushuar së punuari për të nisur kompeticionin e saj. Me dritën jeshile për krijimin e saj, kompania A-22 po zhvillon negociata me dhjetëra klube evropiane. Që nga 21 dhjetori, drejtuesit e saj kanë folur me rreth 50 ekipe dhe deri në njëzet prej tyre kanë thënë tashmë “PO”. Këtë e ka konfirmuar Anas Laghrari, bashkëthemelues i A22 Management, kompania që promovon Superligën, në një intervistë për gazetën franceze Ouest-France. Menaxheri jep detaje të rëndësishme për projektin:

“Nuk dua t’i them emrat e tyre sepse nuk dua t’i ekspozoj. Që nga 21 dhjetori, ne kemi folur me rreth pesëdhjetë klube të ndryshme. Njëzet prej tyre janë shumë të motivuar nga projekti. Tashmë kemi mjaft klube për të filluar një garë,” zbuloi Laghrari në intervistë.

Më tej përfaqësuesi i kompanisë A-22 u shpreh optimist edhe për pritjen e Superligës në sytë e publikut:

“Sapo të gjithë ta kuptojnë se është shumë më e drejtë të kemi një piramidë autentike evropiane dhe jo një sistem në të cilin çereku i Ligës spanjolle vlen më shumë se kampionit belg, njerëzit do të shkojnë drejt këtij modeli”, tha ai

Përveç kësaj, Anas Laghrari ka shpjeguar më shumë se si mund të ndiqet Superliga në mbarë botën.

Organizata ka njoftuar tashmë krijimin e një platforme streaming, të quajtur Unify, përmes së cilës mund të ndiqni falas të gjitha ndeshjet e kompeticionit dhe angazhimi është total: “Pse të paguani 40, 50, 60 apo 170 euro në muaj kur mund ta shohësh falas?” mbylli deklaratën e tij bashkëthemeluesi i A22.

sfidanti.al