Në një kohë që rivalët e grupit tonë europian, kroatët janë vënë në lëvizje për të testuar muskujt me ndeshje shumë të vlefshme përrpara startit të Euro 2024, Shqipëria nuk ka njohur ende emrat e kundërshtarëve të marsit në datat e lira të FIFA-s. FSHF nuk ka arritur të mbyllë ende një marrëveshje me një skuadër që mund të jetë në lartësinë e kuqezinjve, duke e djegur kohën që kishte në dispozicon dhe sot mund të jetë e detyruar të pranojë edhe oferta të dorës së dytë.
Në krahun tjetër, Kroacia ka arritur të peshkojë miqësore edhe në muajin qershor madje pasi skuadra ballkanase do të ndeshet me Portugalinë vetëm 11 ditë përpara ndeshjes me Shqipërinë. Federata Kroate e Futbollit (HNS) ka arritur një marrëveshje për të luajtur një ndeshje miqësore ndërmjet ekipeve kombëtare kroate dhe portugeze përpara se të shkojë në Euro 2024. Portugalia dhe Kroacia do të takohen më 8 qershor në Stadiumin Kombëtar të Lisbonës, që do të jetë testi i fundit për të dyja kombëtaret për paraqitjen e tyre në Kampionatin Europian që mbahet në Gjermani. Skuadra e Daliçit do të fluturojë nga Lisbona në Berlin një ditë pas ndeshjes dhe më pas do të vazhdojë udhëtimin e tyre për në kampin bazë në Neurupin. Kroacia do të përgatitet paraprakisht në Rijekë, ku do të luajë edhe një ndeshje miqësore kundër Maqedonisë më 3 qershor.
Nga Pirro Bardhyli