Një revolucion nga poshtë ndaloi atë nga lart. Protesta e tifozëve bëri që të dështonin të paktën për momentin planet e 12 klubeve më të pasur të Europës për të krijuar Superligën. U deshën vetëm 48 orë që pronarët të kuptonin se publiku ka një forcë të madhe, dhe se pasojat do të ishin më të mëdha se fitimet. Revolucionin e tifozëve e udhëhoqën ata në Angli, jo më kot një nga shoqëritë më të përparuara të botës, ku opinioni publik vlen shumë.
Përkrahësit e Çelsit ishin të furishëm përpara ndeshjes me Brajtonin në Premier Ligë, aq sa legjenda e klubit Petr Çeh zbriti nga autobusi i ekipit për t’iu lutur që të hapnin rrugën. Një ditë më parë, një revoltë të përbashkët bënë mbështetësit e Lidsit dhe Liverpulit. Mançester Siti ishte klubi i parë që u tërhoq, me një deklaratë të shkurtër në faqen e tij zyrtare. Pronari i Liverpulit, miliarderi amerikan Xhon Henri, ishte shumë më i qartë.
“Dua t’u kërkoj falje gjithë tifozëve dhe përkrahësve të Liverpulit, për kaosin që krijova këta 48 orë. Nuk ka nevojë të thuhet, por ia vlen të theksohet se projekti ynë nuk do të shkonte përpara pa tifozët. Askush nuk ka menduar ndryshe në Angli. Këta 48 orë ju e bëtë shumë të qartë se kjo gjë nuk shkon. Ne ju dëgjuam, unë ju dëgjova”.
Mançester Junajtid, ashtu si Siti, u mjaftua me një deklaratë me tre rreshta që u kritikua ashpër nga opinionistët. Më herët, zv. shefi ekzekutiv i klubit, Ed Uduord, dha dorëheqjen. Ai kurrë nuk ka qenë i dashur për tifozët, ashtu si edhe pronarët, familja miliardere amerikane Glejzër. Çelsi, Totenhemi dhe Arsenali u tërhoqën, pra gjashtë klube anglezë, gjysma e Superligës.
E vërteta është që nuk pati protesta në Spanjë dhe Itali, pavarësisht se mediat e dënuan veprimin e klubeve të pasur. Gjithsesi, Shoqata e 12 klubeve bëri një deklaratë ku pohoi se Superliga do të pezullohet, ndonëse shton se futbolli ka nevojë për ndryshim. Presidenti i Realit, Perez, mendon se kjo skemë është shpëtimi i këtij sporti. UEFA kërcënoi më herët me anë të presidentit Çeferin, ndonëse duket se do të ketë një kompromis për t’iu dhënë më shumë fitime financiare rebelëve, në mënyrë që të mbetet në këmbë Championsi. Gjithsesi, vetëm e ardhmja do të tregojë nëse rebelët janë penduar vërtet, apo kjo ishte vetëm një taktikë.
Sfidanti.al