Trajneri ishte tjetër, por skuadra e njëjta. Partizani i zhgënjeu sërish tifozët e tij duke pësuar një tjetër humbje në Superligë, këtë herë në fushën e Laçit, ndonëse Mark Iuliano u zëvendësua në stol nga Sulejman Starova. i mbiquajturi “Bobi”, natyrisht vështirë të bëhet me faj, pasi e drejton skuadrën vetëm prej pak ditësh, por gjithsesi ky nuk është një ngushëllim as për të, as për tifozët dhe as për klubin. Pritej reagim, aq më tepër që në çdo rikthim të Starovës nisnin rezultatet pozitive, veçse këtë herë problemet qenkan të thella.
Laçi vendas, i drejtuar me mjaft entuziazëm nga trajneri vlonjat, Mezani, u tregua më konkret sesa kryeqytetasit, edhe pse këta të fundit zotëruan më shumë topin. Jo vetëm Rezhinaldo me të filluar pjesa e dytë, por ishte përsëri ai që thuajse dyfishoi rezultatin pas gabimit të mbrojtjes së kuqe. Portieri Hoxha, si shpesh herë ishte shpëtimtari.
A mund të ketë shpresë Partizani se ndryshimi vërtet mund të ndodhë? Shanset janë, të paktën për të synuar Ligën e Europës, pasi objektivi për titull duket krejt utopik. Sidoqoftë, duhet të pritet që të ndihet dora e Starovës, apo që të vijnë përforcime në gjysmën e dytë të sezonit, por janari është ende larg, dhe kthesa duhet të nisë sa më shpejt, ndryshe as Europa nuk mund të pretendohet.
“Po vuajmë periudhën e keqe që kishim me Iulianon”, – nuk ngurroi të deklaronte Starova, që kërkoi më shumë nga titullarët.
Një tjetër skuadër e fortë nuk ia del të fitojë, edhe pse nuk u mund. Kukësi kampion mori një rezultat që duhet të quhet i mirë në fushën e Kamzës, barazim 2-2, në një ndeshje spektakolare. Ashtu si gjatë gjithë këtij kampionati, veriorët luftuan fort, por nuk patën as forca, dhe as fat për të fituar. Kundërshtarët mund t’i akuzojnë se gjykimi këtë sezon nuk po i favorizon.
Kale kaloi Kukësin në epërsi, por Sebino Plaku e vërtetoi pritshmërinë si shpresa e madhe e Kamzës, duke përmbysur rezultatin me dy gola. Në fund, Rrumbullaku barazoi me një gol të madh, ndërsa Bakaj nuk i dha dotë fitoren miqve të trajnerit Milinkoviç, duke goditur vetëm shtyllën.
Sfidanti.al