Futbolli i femrave prodhon dhunë por axhenda nuk ndryshon

Ndërkohë që dhuna në ndeshjen e femrave Tirana-Vllaznia po vazhdon të bëjë zhurmë, aq më tepër që ka ende shmë paqartësi për mënyrën se si rrodhën ngjarjet, FSHF publikon axhendën e inisiativës “Rising Stars 2023-2026”. Në kulmin e debatit ditën e sotme që u shoqërua edhe me reagimin e Vllaznisë e cila akuzoi bardheblutë për dhunë, FSHF shkruan:

Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi pasditen e të enjtes Strategjinë e Futbollit të Femrave “Rising Stars 2023-2026”. Një strategji e mirëmenduar dhe e studiuar në detaje së bashku me UEFA-n, me synim për të sjellë ndryshime cilësore në futbollin e vajzave në 3 vitet e ardhshme.

Qasja e FSHF-së për zhvillimin e futbollit për femra në Shqipëri do të fokusohet në katër fusha kryesore:

– Pjesëmarrja

– Rrugëtim i Talenteve dhe Ekipet Kombëtare

– Formimi dhe Licencimi

– Marketingu Vizibiliteti dhe Perceptimi

FSHF në bashkëpunim me UEFA-n, po shqyrton çdo mundësi për të rritur numrin e vajzave në futboll, por dhe numrin e trajnereve, zyrtareve dhe administratoreve. Synimi kryesor është dyfishimi i numrit, nga 2000 të regjistruara, në 4000 deri në vitin 2025. Në kampionatin elitar për vajza aktualisht në Shqipëri marrin pjesë 10 skuadra. Prioriteti kryesor është rritja e konkurrencës në kampionat. Strategjia e mirëmenduar nga FSHF parashtron hapat drejt një reforme gjithëpërfshirëse, përmes zhvillimit dhe mbështetjes së klubeve të vajzave në të gjitha aspektet operacionale.

Objektiv kryesor është përfshirja e plotë e një programi kombëtar për zbulimin e grave dhe vajzave të talentuara. Një nga synimet kryesore është edhe ofrimi i një sërë kursesh formimi dhe programesh trajnimi për trajneret, zyrtaret, administratoret në lojën e Futbollit të vajzave. Gjithashtu primar është edhe bashkëpunimi me klubet për të zhvilluar lojën e tyre dhe për të krijuar ekipe të reja të vajzave.

Prioritet për FSHF-në mbetet edukimi dhe promovimi i lojës së vajzave dhe krahas kësaj do të rritet vlera komerciale e futbollit elitar të vajzave, duke gjeneruar të ardhura të mëtejshme përmes partneriteteve. Kjo siguron një të ardhme të qëndrueshme për lojën e futbollit të vajzave. Në plan është edhe bashkëpunimi me organizatat partnere, për të rritur ndërgjegjësimin për futbollin e vajzave përmes një sërë fushatash publike dhe nismave promovuese, që në një të ardhme të afërt të krijohen ekipe të reja vajzash.

sfidanti.al