Skënderbeu i zhgënjyer, UEFA i nxjerr minutat shtesë

Drejtuesit e Skënderbeut duhet të bëjnë shumë më tepër se kaq, për t’i shpëtuar makthit të UEFA-s, sesa të vazhdojnë dhe të mallkojnë institucionin që drejton futbollin në kontinent. Komisioni i Apelit nuk ndryshoi asgjë dhe tashmë klubit korçar i ka mbetur vetëm një shkallë e fundit, KAS, për t’i ndryshuar në favor ndëshkimin ekzemplar, prej 10 vjetësh pezullim në kompeticionet ndërkombëtare. Ndërkohë, drejtuesit e skuadrës, që për çështje kohe do të bëjë të vetin titullin më të madh të futbollit të vendit, për të shtatin sezon rradhazi, nuk e kanë fshehur zhgënjimin për trajtimin diskriminues që po i rezervon UEFA.

“KF Skënderbeu bën me dije se, brenda afateve ligjore, do të paraqesë ankim në KAS, ku do të parashtrohen të gjitha faktet dhe provat që rrëzojnë qëndrimin paragjykues të organeve juridike të UEFA-s. Drejtësia për përfitime personale nuk është drejtësi, veçse abuzim me pozicionin dominues”, thuhet ndër të tjera në reagimin e klubit korçar.

Në fakt, të shfrysh në këto moment është gjëja më e panevojshme e mundshme. Ajo që vlen vërtetë është strategjia e mbrojtjes në përballjen e fundit. Për Skënderbeun e gjyqeve tashmë ka dalë tabela me minutat shtesë dhe i nevojitet një përpjekje titanike për të shënuar golin e jetës. Thuhet se klubi është mbështetur në një zyrë ligjore shumë të specializuar, por deri tani insistimi i avokatëve për të bërë futbollistët të dëshmojnë, nuk duket të ketë pasur ndonjë efekt në trupat hermetike gjykuese. Një mbrojtje si ajo pas ngjarjeve të Beogradit, po kaq e kushtueshme dhe lobuese, ndoshta do të bënte punë, por në këtë rast duhet të dalë në skenë kupola e FSHF-së, e cila ka treguar se është e ndjeshme vetëm kur cënohet personalisht.

Ashtu si atëherë edhe për rastin e Skënderbeut duheshin thirrur në ndihmë metoda jo shumë të pastra, pasi flitet për një aset sportiv kombëtar që duhet shpëtuar. Në fund të fundit, vetë UEFA nuk shquhet për pastërti dhe diku abuzon e diku tjetër bëhet dominuese, siç edhe konstatohet në komunikatën e Skënderbeut. Këtë e tregoi edhe në zgjedhjet e fundit të FSHF-së, ku u pozicionua hapur në anën e fituesve, madje duke mbyllur sytë edhe për një mori parregullsish.

S.Demi