Dikur për kombëtaren shqiptare u bë “bozë” shprehja “humbje dinjitoze”. Edhe për Napolin duket se po teprohet shumë me fjalët “ndeshje shumë e mirë”, ndërsa barazimi në fushën e Milanit ia pakësoi mundësitë për t’iu afruar Juventusit kryesues. Nuk pati gola në “San Siro”, në një duel të fortë dhe të bukur të Serisë A, ku portierët shkëlqyen më shumë se sulmuesit.
Napoli me të drejtë mund të quhet i pakënaqur, dhe Milani më i lumtur për barazimin 0-0, ndërsa miqtë patën pretendime të forta (mesa u duk, me të drejtë) për penallti, kur Insinje u rrëzua nga Bakajoko në zonë. Jo vetëm që gjyqtari nuk sinjalizoi, por as VAR-i nuk dha asnjë shenjë për të parë pamjet me ndihmën e teknologjisë. Ja pra, “thembra e Akilit” e VAR-it, fakti që sërish varet nga njerëzit që e përdorin, dhe jo nga rregulla fikse sesi duhet të përdoret.
Në fund, Fabian Ruiz i Napolit merr dy të verdha, dhe pas tij edhe trajneri Ançeloti del jashtë me të kuqe. Për t’u theksuar se në fushë u bënë tre lojtarë polakë, Zielinski e Milik për Napolin, dhe Piontek që hyri si zëvendësues për Milanin. Barazimi bën që napolitanët të kenë 48 pikë (ndaj 56 të Juves), ndërsa Milani është i katërti me 35 pikë, por mund të kalohet nga Roma, madje edhe nga Lacio.
Sfidanti.al