Reali përgatit goditjen e madhe, 100 milionë euro

Kenan Yildiz është rikthyer në listën e objektivave kryesorë të Real Madridit për merkaton e ardhshme. Sipas “Corriere dello Sport”, madrilenët po përgatisin një lëvizje konkrete për talentin turk, për të cilin kishin pyetur që në dimrin e vitit 2025, kur Xabi Alonso e shihte si një objektiv të rëndësishëm.

Tani, interesi i Realit është rikthyer dhe një ofertë zyrtare mund të mbërrijë në muajt e ardhshëm. Juventusi, ndërkohë, e konsideron 21-vjeçarin një prej shtyllave të projektit dhe ia ka zgjatur kontratën deri në vitin 2030. Megjithatë, situata mund të ndryshojë nëse bardhezinjtë dështojnë sërish të sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

Në një skenar të tillë, Juventusi mund të shqyrtojë shitjen e Yildizit në verën e vitit 2027. Klubi italian e kishte vlerësuar talentin turk në rreth 100 milionë euro, por Reali nuk duket i frikësuar nga kjo shifër dhe kërkon të forcojë repartin ofensiv për vitet e ardhshme.

Në Madrid, Yildiz do të mund të konkurronte drejtpërdrejt me Vinicius Junior për krahun e majtë. Megjithatë, për firmën e tij do të ketë konkurrencë të fortë nga Arsenali dhe Bayern Munichu. Londinezët kërkojnë përforcime në krahun e majtë, ndërsa Bayerni e njeh Yildizin që nga koha kur ai ishte pjesë e akademisë së klubit. Saga për talentin turk pritet të jetë një prej historive më interesante të merkatos së vitit 2027.