Siti si “tren ekspres”, 17 gola në 3 ndeshje pa fitores me Leisterin!

Suksesi ishte 6-3, një rekord i golave në një ndeshje në “Boksing Dej” (Boxing Day) që kur këtë e bëri Mançester Junajtidi në 1991 në ndeshjen në fushën e Oldhemit (fitore 6-3). Kjo do të thotë se është rekord absolut i kësaj mbrëmjeje në historinë e Premier Ligës. Mançester Siti ka shënuar tani 17 gola në 3 ndeshjet e fundit të kampionatit duke treguar se ka arritur maksimumin e formës, siç dëshiron trajneri Pep Guardiola.

Siç u pa ndaj Leisterit, “qytetarët” nuk po ndjejnë mungesën e një qendërsulmuesi race si Harri Kejn, të cilin deshën ta merrnin në verë, por nuk mundën (ose nuk deshën të shpenzonin 150 milionë paundë stërlina). De Brujn, Mahrez (penallti), Gyndogan, Stërling shënuan në pjesën e parë, por pas pushimit Leisteri reagoi duke shënuar 3 gola radhazi me anë të Medisonit, Lukmanit dhe Iheanaços (ish-lojtar i Sitit), veçse vendasit e kishin ruajtur një “ortek” edhe për në fund. Laporte dhe Stërling vulosën rezultatin.

Siti ishte “lokomotiva” e një pasditeje me shumë gola, siç ndodhi në fitoret 5-0 të Arsenalit në fushën e Noruiçit, 3-0 të Totenhemit ndaj Kristël Palasit dhe 3-2 të Sauthemptonit kundër Uest Hemit në Londër. Siti kryeson renditjen me 47 pikë në 19 ndeshje duke pasur tani po aq gola të shënuar sa Liverpuli (50), por më pak të pësuar (12 ndaj 15). Ekipi i Klopit ka një ndeshje më pak dhe 41 pikë, ndërsa Arsenali është ngjitur në 35 pikë në 19 ndeshje e Totenhemi në 29 pikë në 16 ndeshje.

Sfidanti.al