Sançez i jep fitoren Kilit në Kupën e Amerikës, por dëmtohet

U deshën gjilpëra qetësuese që ai të vazhdonte lojën, dhe nuk dihet nëse do të jetë në fushë më tej, por gjithsesi Aleksis Sançez bëri një tjetër gjë të mirë me ekipin kombëtar, duke lënë pas vuajtjet tek Mançester Junajtidi. Sulmuesi i njohur realizoi golin e fitores për Kilin në duelin e Kupës së Amerikës ndaj Ekuadorit, në minutën e 51-të, pasi Hoze Pedro Fuensalida kaloi kilenët në epërsi në 8’, dhe Ener Valensia barazoi me penallti në 26’.

Fitorja e kualifikoi skuadrën kilene për në çerekfinale, por Sançezi përndrydhi kaviljen, ndonëse trajneri Reinaldo Rueda ishte optimist. “Nuk është e njëjta kavilje që dëmtoi me Junajtidin, – tha ai, – mjekët thonë se mund të luajë të premten, pas trajtimit me akull”. Ky ishte goli i 43-të për Aleksis Sançezin me fanelën e Kilit, ndërsa ai synon Kupën e tretë radhazi të Amerikës me kombëtaren, në kontrast të madh me atë që po kalon në “Old Traford”.

Sfidantil.al