Rumania U21 e Haxhit e Pushkashit i tregon vendin edhe Anglisë

E ardhmja e futbollit rumun duket në duar të sigurta, dhe legjendat e viteve 80-të e 90-të mund të jenë të qetë. Kombëtarja U21 e vendit të tyre, pasi i “dha drunë” 4-1 Kroacisë bashkëmoshatare, i tregoi vendin edhe Anglisë, madje duke e eleminuar. Fitore 4-2, në një ndeshje ku të 6 golat u shënuan në 15 minutat e fundit (plus shtesat). Sërish shënuan mbiemrat e mëdhenj Pushkash e Haxhi, ndërsa dy herë realizoi Florinel Koman.

Xheorxhe Pushkash kaloi rumunët në epërsi në minutën e 76-të, Grej barazoi për Anglinë U21 pas tri minutave, por Ianis Haxhi goditi përsëri për ballkanasit në të 85-ën. Nuk vonoi barazimi i dytë anglez me anë të Abrahamit (87’). Rumania u përgjigj dy herë në minutat 89 e 93 me anë të Komanit dhe arriti në kuotën e 6 pikëve në grup. Gazetat angleze fajësuan trajnerin Eidi Buthroid (Aidi Boothroyd) që nuk aktivizoi atë që quhet lojtari më i mirë, Kris Foden i Mançester Sitit, veçse duhet thënë se dy humbje nuk janë rastësi.

Anglia U21, në mënyrë të çuditshme ka treguar një dobësi të madhe në minutat e fundit duke pësuar plot 5 gola, fillimisht duke iu përmbysur rezultati 1-2 me Francën, me rrjeta të minutave 89 e 95, dhe tani ndaj Rumanisë, kur pësoi gola në 85’, 89’ e 93.

Sfidanti.al