Sa blerje e lirë për Barcelonën, Deulofeu kushtoi vetëm 12 milionë euro!

Gerard Deulofeu do të kthehet përsëri tek Barcelona. Katër vjet pasi katalanasit nisën “xhiron” e huazimeve, futbollisti i akademisë së tyre besohet se e ka plotësuar ciklin dhe është gati për skuadrën e Ernesto Valverdes. Në moshën 23-vjeçare, ai do të veshë sërish fanelën “blaugrana”, ndërsa Barça pagoi klauzolën e kthimit mbrapsht që kishte në kontratë me Evertonit, klauzolë prej rreth 12 milionë eurosh. Deulofeu shkoi në 2013 tek Evertoni, pastaj luajti për Seviljen po në huazim si dhe tek Milani gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, ku ra në sy me 4 gola e 3 asistë në 17 ndeshje.

Kjo e bindi trajnerin Valverde dhe drejtuesit e klubit se Deulofeu do të jetë një alternativë shumë e mirë për edicionin e ardhshëm. Ai është 1.77 metra shtatalartë dhe luan në krah të djathtë, por mund të aktivizohet edhe si sulmues. Futbollisti që mban numrin 7 në Spanjën U21, është kapiten i ekipit Shpresa të vendit të tij.

Sfidanti.al