Ronaldo, më i miri i Europës falë Realit, Mesin e dënon Barça!

Reali fitoi Championsin dhe La Ligën, pra dy trofetë më të mëdhenj të mundshëm, ndërsa Barcelona vetëm Kupën e Mbretit. Siç ndodh rëndom në raste të tilla, suksesi i ekipit nderoi futbollistin më të mirë të tij, në këtë rast Kristiano Ronaldon, duke e ndihmuar të shpallej lojtari i vitit në Europë. Dështimi i katalansve, në anën tjetër, dënoi Mesin që të mbetej jo vetëm në vendin e dytë, por me një diferencë tepër të madhe me CR7-ën, 482 pikë ndaj 141, ndërsa Xhixhi Bufon doli i treti me 109.

A mund të quhet Ronaldo fitues i merituar? A mund të quhet e drejtë që ai mori më shumë se trefishin e pikëve të Mesit? Për ata që ndoqën sezonin është e qartë se përfundimi duhej të ishte ndryshe. Mesi jo vetëm shënoi më shumë gola në total se Ronaldo, dhe jo vetëm dha më shumë asiste, por sidomos ishte “truri” i lojës së Barcelonës dhe lojtari që mori më shumë pjesë në aksionet e skuadrës së tij. Shumica e golave katalanas kishte patjetër diçka të Mesit. Gjithsesi, votimi shkoi sipas traditës dhe Ronaldo u shpall fitues.

Sfidanti.al