Nuk është vetëm njeriu në stol që po e bën Romën të shkëlqejë. Jo vetëm skuadra e kryeqytetit italian po mrekullon në Champions dhe në Serinë A, por edhe klubi i saj po tregohet më shumë si të ishte gjerman sesa italian. Sekreti për këtë ndryshim ka një emër spanjoll, njeriun e mrekullive që erdhi nga Sevilja, Ramon Rodrigez Verdeho, që shkurt njihet me nofkën Monçi.
Falë aftësisë së tij, fillimisht Roma doli me 25 milionë euro fitim nga transferimet e verës, ndërsa zotësia e trajnerit Di Françesko bëri që skuadra të dilte në vendin e parë në grup në Ligën e Kampionëve, duke lënë pas emra të mëdhenj si Çelsin kampion të Anglisë dhe Atletikon e Madridit, dy herë finaliste në katër edicionet e fundit. Kjo u shoqërua me 65 milionë euro fitime, gati dyfishi i 35 milionëve të parashikuara.
Edhe në Serinë A, Roma ka 5 pikë më shumë sesa vjet. Monçi vërtet mund të ndihet mirë, pasi Di Françesko ishte trajneri që u kërkua me këmbëngulje prej tij, dhe të dy ndihmuan klubin të fitonte në pak muaj 90 milionë euro. Fitimet do të ishin përrallore nëse do të arrihej për shembull në finalen e Championsit. Vetëm në Europë, do të merreshin 100 milionë euro.
Sfidanti.al